Kopenhagë, SHBA-Kinë në prag të paktit historik
Dy ndotësit më të mëdhenj të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë në prag të marrëveshjes historike për klimën, në samitin që mbyllet të premten me paraqitjen e dy presidentëve të vendeve Barak Obama dhe Hu Jintao. Një ditë më parë drejtuesja e samitit, ministrja daneze Koni Hedegard, dha dorëheqjen duke ia lënë samitin historik në dorë kryeministrit të Danimarkës, Lars Roeke Rasmusen. Ndërsa dje bisedimet nisën shumë pesimiste dhe samiti ishte në prag të dështimit, por një lëvizje e Shteteve të Bashkuara nxiti shpresat për arritjen e marrëveshjes. Ndërsa po nisej për në Kopenhagë, sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, tha se SHBA do t’i bashkohej tryezës së fondeve për ndryshimet klimatike duke ofruar 100 miliardë dollarë për këtë mision, çdo vit duke nisur nga 2020 për të ndihmuar vendet të zvogëlojnë emetimet e tyre të karbonit. Përfaqësuesit e dy ndotësve më të mëdhenj biseduan për 11 orë rresht për të arritur pranë mundësisë së nënshkrimit të një marrëveshjeje. Lëvizjet nga Kina dhe SHBA nxitën kryeministrin britanik, Gordon Braun të deklaronte mbrëmë në kryeqytetin danez, se tani kanë kaluar më shumë se gjysmën e udhës për të arritur në nënshkrimin e marrëveshjes substanciale të premten, sot, Qeveritë e 192 vendeve do të tentojnë të miratojnë planet, për të zvogëluar emetimin e karbonit dhe për të siguruar suport financiar për vendet e varfra të cilat duhet të mos prekin ekonomitë e tyre, për të bërë ndryshimet e duhura në industritë dhe teknologjitë që emetojnë shumë karbon. Plani 100 miliardë dollarë është mbështetur tashmë nga Bashkimi Evropian dhe disa liderë të vendeve Afrikane, të cilët kishin kërcënuar edhe se do të bllokonin marrëveshjen. Hapi i Klintonit ishte kthesa që i duhej samitit. Megjithatë ajo e bëri të qartë se oferta amerikane kishte kushte kushtin, që Kina të ofronte transparencë të plotë për të treguar se si do t’i zvogëlonte emetimet e karbonit. Pekini nuk kishte pranuar deri më tani të tregonte detaje për planet e tij mbi emetimet e mëtejshme, dhe i nisi bisedimet e ditës së djeshme me bindjen se samiti nuk do të sillte asgjë të re më shumë se deklarata të përgjithshme të principeve politike mbi ndryshimet klimatike. Por pas sfidës së Klintonit, zyrtarët kinezë treguan se nuk donin të ishin ata prishësit e marrëveshjes së Kopenhagës, duke tentuar të shkojnë drejt arritjes së marrëveshjes. He Yafei, zv.ministri i Jashtëm i Kinës, tha se oferta amerikane ishte “një hap i parë pozitiv” dhe tha se Pekini do të angazhohej për “dialog dhe bashkëpunim” për të provuar se premtimet e Kinës, nuk ishin fjalë boshe. Tani gjasat për marrëveshje janë shumë të mëdha. Berisha: Shqipëria superfuqi e vogël në energjiKryeministri Sali Berisha tha dje në samitin e Klimës në Kopenhagen se Shqipëria synon të bëhet superfuqi energjetike në rajon. “Objektivi i qeverisë sime është ta kthejë Shqipërinë në një superfuqi të vogël prodhuese, të energjisë së gjelbër në rajon. Aktualisht, rreth 95% e burimeve dhe konsumit të energjisë së vendit tim vjen nga energjia hidrike. Potencialet hidrike janë shumë të mëdha. Më shumë se 2/3 ngelet për t’u shfrytëzuar. Në këtë kontekst, ne planifikojmë të ndërtojmë rreth 440 hidrocentrale me një fuqi totale prej së paku 20 miliardë kilovat/ore”, tha kreu i qeverisë. Sipas tij: “Janë firmosur kontrata për rreth 130 prej tyre. Kompani nga e gjithë bota punojnë sot në Shqipëri. Kriza financiare ka ngadalësuar flukset financiare drejt tyre, ndaj dhe unë ftoj institucionet financiare të vendeve tuaja, si dhe institucionet ndërkombëtare të ndihmoni këto kompani për të vazhduar punën. Do të jetë shumë fitimprurëse, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin”. Berisha u angazhua se Shqipëria mbetet e gatshme të kontribuojë në përpjekjet kundër ndryshimit të klimës dhe për të vënë në jetë vendimet e këtij samiti.