Shqipëria u refuzon vizat 100 shtetasve të huaj
TIRANE - Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, gjatë këtij viti kanë refuzuar vizat hyrëse për në Shqipëri, për 100 shtetas të huaj, mes të cilëve kanë qenë edhe persona të dyshuar për terrorizëm. Në statistikat paraprake për analizën e punës së Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, thuhet se janë larguar me urdhra largimi një numër i konsiderueshëm shtetasish te huaj. Një numër i tyre janë prapësuar për arsye të pjesëmarrjes në organizma të shpallura si mbështetëse të terrorizmit nga OKB. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se gjatë 2009-ës janë identifikuar dhe refuzuar një numër i madhe kërkesash për vize hyrje në Shqipëri vetëm duke verifikuar pritësit, motivet dhe qëllimet e kërkesave për vize. Gjithashtu gjatë këtij viti në vendkalimet kufitare janë arrestuar 234 persona të shpallur në kërkim, si dhe janë zbuluar 23 raste kontrabandë lëndësh narkotike e 11 automjete të trafikuara, duke përdorur të dhënat e Interpolit. Pikat e Kalimit Kufitar janë në procesin e instalimit ne sistemin e monitorimit me kamera dhe gjithashtu të instalimit të sistemit të leximit automatik, të leximit të targave të automjeteve dhe njohjes së personit nëpërmjet imazhit të fytyrës. e.d