Topalli: Raporti përmend 100 herë fjalën progres; PS: Po, por është mungesë progresi
Përplasja për progres-raportin e Komisionit Evropian ka vijuar sërish ditën e djeshme mes opozitës dhe pozitës. Kësaj radhë në shesh kanë qenë shifrat. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka dalë në një konferencë për shtyp dhe ashtu si kryetari i qeverisë, Sali Berisha, ka thënë se në çdo faqe të tij gjendet fjala “progres”. Topalli tha se kjo fjalë përmendet 100 herë.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë përshëndes Raportin e Progresit për vitin 2008 për Shqipërinë. Ky raport është një vlerësim objektiv i punës së parlamentit. Në këtë raport të progresit, i cili është dhe shumë profesional, në secilën prej 56 faqeve të tij, fjala “progres” përmendet mbi 100 herë dhe në shumë faqe kjo fjalë përsëritet 5, 6 herë. Në kapitujt më të rëndësishëm të tij (kriteret politike, demokracia dhe shteti ligjor, kriteret ekonomike, si dhe në kapitullin standardet evropiane) fjala “progres” ka intensitetin më të lartë”, - tha kryetarja e Kuvendit.
Ndërsa një zyrtar i opozitës, deputeti Kastriot Islami tha se në 90 raste përmendet fjala “mungesë progresi”.
Duke folur për progres-raportin, kryetarja e Kuvendit ka përmendur dhe momentin e miratimit të kandidatëve të presidentit për Gjykatën e Lartë. Duke i dhënë merita Kuvendit për kapërcimin e kësaj situate, ajo nuk përmendi faktin se raporti thekson se ajo ishte një tentativë e ekzekutivit për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura. Megjithatë, në raport nuk thuhet aspak se mendimi i rregullores i dha zgjidhje situatës. “Natyrisht, ka pasur edhe momente të vështira të marrëdhënieve midis parlamentit dhe institucioneve që burojnë prej tij, si në rastin e emërimit të gjykatësve, por amendimi me konsensus i rregullores dha zgjidhjen e kënaqshme edhe në këtë rast”, - tha Topalli. Por në raport thuhet: “Marrëdhëniet mes parlamentit dhe presidentit u bënë të vështira disa herë. Parlamenti rrëzoi kandidaturat e presidentit për Gjykatën e Lartë në qershor dhe miratoi propozimet e dyta në korrik. Ky proces ngriti shqetësime për pavarësinë e institucioneve të shtetit nga ekzekutivi.”