Mësimi i votës së vjedhur
Edi Rama
Akuzoj personalisht dhe drejtpërdrejtë Sali Berishën, për krimin ndaj gazetarit Mero Baze. Ata që gjakosën gazetarin, e gjejnë fuqinë tek mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, tek paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me Sali Berishën, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë Sali Berisha për t'u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit.
Qytetarët e këtij vendi kanë mbetur pa shtet, kanë mbetur pa gjykata, kanë mbetur pa prokurori. Shqipëria sot nuk qeveriset nga ligjet dhe barazia para ligjit nuk ekziston. Shqipëria sot qeveriset nga interesat e një "Familjeje".
Dhe njëri prej klientëve të "Familjes" gjakosi me grushtet dhe shkelmat e gorillave të ushqyer nga "Familja", gazetarin që hedh përnatë dritë mbi veprat e paligjshme të kësaj qeverie interesash.
Sali Berisha nuk mund ta dënojë me një deklaratë bajate nëpërmjet zëdhënëses këtë krim të shëmtuar.
Nuk është vepër banale e një të dehuri të larguar në drejtim të paditur, por akt kriminal i një të mirënjohuri botërisht si klient kryesor i pushtetit të familjes Berisha. Është personi për të cilin pak ditë më parë Policia e Shtetit u fut në konflikt me organet tatimore tek dera e ARMO-s.
Por, Sali Berisha nuk del vetë, t'i shoh drejt e në sy shqiptarët dhe t'i sigurojë se ai është në krahun e gazetarit, jo në krahun e dhunuesit. Nga njëra anë ai nxjerr deklaratën boshe të gjoja dënimit të ashpër të dhunës ndaj gazetarit, ndërsa nga ana tjetër i jep mbrojtjen e heshtur të shtetit një personi me të cilin e bashkojnë interesat e fitimet e paligjshme.
Lulëzim Basha, Ministri i Punëve të Brendshme të familjes Berisha, që e ka vendosur Policinë e Shtetit kundër ligjit dhe në shërbim të interesave të paligjshme pronësore e financiare të Berishës, duhet të ndalonte vetë autorin që udhëhoqi sulmin gjakatar ndaj gazetarit, jo thjesht dy nga gorillat që e bënë për spital njeriun e shtypit.
Por, ky "kryeshërbëtor i Familjes" në pushtet, që ka grabitur për llogari të Sali Berishës fondet e veprës madhore të rrugës së kombit, është çuar në Ministrinë e Brendshme, jo për të udhëhequr shtetin në luftën kundër shkelësve të rendit ligjor, por që ta kthejë Policinë e Shtetit në një shërbim të pushtetit të "Familjes", për të implementuar në terren zaptimet e tjetërsimet e dhunshme që Sali Berisha u bën me letra pronave të shtetit apo pronarëve të pambrojtur, për të mbrojtur nga ligji klientët e këtij pushteti, si në rastin e ARMO-s, apo edhe si në rastin e sotëm, shkurt për punët e brendshme të Familjes që po na plaçkit përditë Shqipërinë përmes pushtetit të votave të vjedhura.
Presidenti i Republikës, duhet të dalë nga heshtja e tij olimpike dhe të flasë me fuqinë që i jep Kushtetuta e morali i kreut të shtetit, për të mbrojtur liri e të drejta që po kërcënohen përditë e më shumë në kushtet e një sistemi drejtësie të paralizuar nga presioni e korrupsioni.
Presidenti nuk mund të pajtohet në heshtje me rrënimin e përditshëm të shtetit të së drejtës, me dhunimin e përditshëm që pushteti i një familjeje po i bën Kushtetutës, Ligjit, Shtetit, me gjakosjen e një gazetari që në një hapësirë përditë e më të ngushtë lirie për mediat në Shqipëri, denoncon zullumet e pushtetit të një halldupi.
Dua të them në fund, fare sinqerisht, se për mua s'ka asgjë të papritur në këto zhvillime dëshpëruese për vendin dhe shoqërinë tonë. Vota e vjedhur e 28 qershorit e ka futur këtë pushtet në rrugë pa kthim. Një pushtet që nuk buron nga vullneti i lirë i popullit është i dënuar të sillet keq e më keq.
Ky është një mësim që na e ka dhënë historia e gjatë e demokracisë por edhe historia e jonë e shkurtër në demokraci, por është një mësim që më shumë se të tjerët duhet të mos e harronte personalisht Sali Berisha, të cilit i them: Dil dhe dënoje vetë, me zë e me figurë krimin, që të gjithë ta shohin se përgjakja e dhunshme e gazetarit, nuk ka spërkatur fytyrën tënde!