Pasuritë e deputetëve të rinj të Kuvendit
Rajmonda Bulku ka një shtëpi 164m2. Lefter Maliqi, pronari i dy apartamenteve në Tiranë dhe kredisë 30 mijë euro
Spiro Ksera ka një llogari me 100 mijë euro në bankë për të cilat nuk deklaron burimin
TIRANË- Deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë rezultojnë që të kenë secili nga një "pasuri të vogël" si në para KESH ashtu edhe në prona të paluajtshme. Pothuajse të gjithë kanë apartamente luksoze, makina të mira, dyqane por edhe prona të tjera të shpërndara në Shqipëri.
"Shekulli" publikon sot pasuritë e disa prej deputetëve të rinj të Partisë Demokratike. Sipas Inspektoratit të Pasurive, deputetët e rinj të PS-së nuk kanë deklaruar ende pasurinë e tyre për shkak se nuk kanë bërë betimin në Kuvend.
Raimonda Bulku
Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Raimonda Bulku rezulton të jetë nga të paktët deputetë të rinj që ka bërë deklarimin e pasurisë menjëherë pasi ka marrë mandatin e deputetit. Sipas deklarimit, Bulku është pronarja e një apartamenti banimi me sipërfaqe 164 m² dhe vlerë 46.500 dollarë blerë në vitin 2000. Për blerjen e tij ajo thekson se ka përdorur paratë e përfituara nga shitja e një tjetër apartamenti.
Po ashtu, në emër të deputetes Bulku rezultojnë edhe dy depozita bankare me rreth 5500 euro në total, të ardhura të përfituara nga puna e saj si aktore në Teatrin Kombëtar. Ndërsa në emër të bashkëshortit të saj ekziston edhe një llogari tjetër bankare me qarkullim vjetor 40 mijë euro, të ardhura të përfituara nga profesioni i tij si arkitekt.
Nga ushtrimi i profesionit të saj si aktore në Teatrin Kombëtar por edhe në një teatër privat, Bulku ka përfituar edhe rreth 500 mijë lekë të ardhura. Rreth 520 mijë lekë ka përfituar edhe djali i saj si nëpunës në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Në vitin 2006 Bulku deklaron se ka marrë edhe një kredi me vlerë 500 mijë lekë për të blerë makinë, nga e cila mbetet për të shlyer edhe 200 mijë lekë.
Lefter Maliqi
Deputeti i qarkut të Beratit, Lefter Maliqi, ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë që nga viti 2007 pas zgjedhjes së tij në krye të komunës Otllak. Sipas deklarimit fillestar të tij, Maliqi është pronar i dy apartamenteve në Tiranë, dy dynymëve tokë përfituar nga ligji 7501 dhe një kredie 30 mijë euro me afat maturimi 20 vjeçar.
Apartamenti i parë i blerë në vitin 1996 ka një sipërfaqe 70 m² dhe vlerë 3.4 milionë lekë, ndërsa i dyti i blerë në vitin 2006 ka sipërfaqe 103 m² dhe vlerë 55 mijë euro. Ndërmjet viteve 1996-2006 Maliqi ka kryer disa detyra si, inspektor i policisë kriminale, shef policie, shef komisariati, pedagog në shkollën e policisë, etj., nga të cilat deklaron se në total ka përfituar një pagë prej 9.6 milionë lekësh.
Ndërsa bashkëshortja e tij, në një periudhë kohore prej 10 vitesh, ka përfituar 5.8 milionë lekë të ardhura nga puna si ekonomiste në Komunë, Gjykatë, në drejtorinë e KESH-it dhe nga emigrimi në SHBA.
Në vitin 2007 Maliqi ka marrë edhe një kredi prej 30 mijë eurosh në një bankë tregtare në vend me afat, maturimi 20 vjet. Për sa i përket vitit 2007 Maliqi deklaron një rritje të ardhurash me rreth 900 mijë lekë nga paga e tij si kryetar komune.
Për vitin 2008 deputeti Maliqi ka deklaruar blerjen e një makine tip "Volksvagen Polo" me vlerë 300 mijë lekë.
Nga paga e tij si Kryetar Komune ai ka përfituar rreth 1.2 milionë lekë të ardhura vjetore, kurse nga ajo e bashkëshortes rreth 700 mijë lekë. Gjatë këtij viti ai ka shlyer këstet e kredisë së marrë në 2006-ën me 5000 euro duke e zbritur totalin për t'u paguar 22 mijë euro.
Spiro Ksera
Deputeti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, është subjekt i deklarimit të pasurisë që nga viti 2005 për shkak të detyrës së tij si prefekt në këtë qark. Sipas deklarimit fillestar të tij, Ksera është pronar i një automjeti tip "Land Rover" me vlerë 3 milionë lekë dhe i një depozite bankare prej 100 mijë eurosh.
Nga paga e tij si prefekt gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës, Ksera ka përfituar rreth 180 mijë lekë. Ndërsa bashkëshortja e tij ka pasur rreth 520 mijë lekë të ardhura nga paga e saj.
Për vitin 2006 nuk vërehet asnjë ndryshim të pasuri përveç pagave të dy bashkëshortëve. Gjatë këtij viti Ksera ka përfituar rreth 851 mijë lekë të ardhura ndërsa bashkëshortja e tij 520 mijë lekë.
Për vitin 2007 deputeti Ksera deklaron se e ka shitur automjetin e tij kundrejt një vlere prej 250 mijë lekësh. Ndërsa për sa i përket të ardhurave nga paga gjatë vitit 2007 ai deklaron se ka përfituar rreth 1.2 milionë lekë, kurse bashkëshortja 520 mijë lekë.
Për vitin 2008 ai ka deklaruar vetëm të ardhurat nga paga si prefekt i qarkut 1.3 milionë lekë dhe nga paga e bashkëshortes me vlerë 550 mijë lekë.