Tekstet shkollore, në mars nis përzgjedhja e titujve
Në muajin mars do të nisë përzgjedhja e teksteve shkollore për arsimin parauniversitar. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Arsimit, e cila sqaron se procedurat për përzgjedhjen e titujve të librave për vitin e ardhshëm shkollor do të nisin në mars. Ministria e Arsimit miraton dhe certifikon tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, të cilat konkurrojnë, në barazi të plotë, në përzgjedhje nga përdoruesit. Kriteret dhe procedurat e konkurrimit dhe të përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit. Procesi i botimit, i shtypjes, shpërndarjes dhe shitjes së teksteve shkollore të arsimit parauniversitar bëhet nga shtëpitë botuese. Shtëpitë botuese, të cilat marrin përsipër të kryejnë këtë proces, paraqesin tekstet për miratim në bazë të kritereve dhe procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Në udhëzim përcaktohen edhe afatet, skema e shpërndarjes dhe pikat e shitjes së teksteve shkollore të arsimit parauniversitar. Drejtoritë arsimore në rrethe dhe zyra arsimore(DAR/ZA-t) duhet të blejnë drejtpërdrejtë nga shtëpitë botuese tekstet shkollore, të cilat do t’u shërbejnë shkollave për përzgjedhje. Këto tekste blihen me fondet e buxhetit të shtetit dhe ruhen në bibliotekën e shkollës, si pronë e saj.
Shitja
Shtëpitë botuese duhet t’i shesin tekstet e certifikuara në mjedise shkollore. Në qytete, të cilat kanë librari, shitja e teksteve mund të bëhet edhe në librari. Drejtoritë e shkollave detyrohen t’u ofrojnë mjedise shtëpive botuese për shitjen e teksteve. Tekstet për shkollat e pakicave kombëtare dhe të arsimit profesional shiten në shkollë, sipas porosive të tyre. Çmimi i shitjes duhet të jetë jo më i lartë sesa çmimi me të cilin janë paraqitur për miratim tekstet e certifikuara. Librashitësit, të cilët i shesin tekstet shkollore me lekë në dorë, duhet t’i lëshojnë blerësit dokumentin e shitjes ose faturën e kasës fiskale, sipas modeleve të caktuara nga Ministria e Financave. Në rastin e teksteve për shkollat e pakicave kombëtare dhe të arsimit profesional, shitja bëhet përkundrejt faturave. Faturat paguhen me pjesën e kontributit të nxënësit dhe subvencionin e caktuar për të, përmes llogarive buxhetore të DAR/ZA-ve ose vetë shkollës, kur ka llogari të tillë. Për këtë, shkollat dërgojnë dokumentacionin e plotë në DAR/ZA-në përkatëse. Pas plotësimit të kërkesave të shkollës, shtëpitë botuese mund t’i shesin këto tekste edhe në librari. Ministria e Arsimit nuk e subvencionon blerësin në shitjen e lirë të këtyre teksteve. Tekstet duhet të jenë të pajisura me pullën me hologramë, të certifikimit, të Ministrisë së Arsimit. Pulla me hologramë u shpërndahet botuesve nga Ministria e Arsimit, kundrejt pagesës. Tekstet, që tregtohen pa këtë pullë, i nënshtrohen procesit të konfiskimit, në përputhje me ligjin në fuqi. Në rastet e subvencionimit të teksteve shkollore, Ministria e Arsimit, fondet e miratuara për këtë qëllim ia jep blerësit si kompensim për blerjen e teksteve, ose i vë në dispozicion të tij, për t’i përdorur për këtë qëllim.
Kule: “Ministria është në kohë për të ndryshuar udhëzimin”
Vazhdojnë ende përplasjet midis Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve për formatin e diplomave të Bolonjës. Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), Dhori Kule, Ministria e Arsimit është në kohë për të ndryshuar udhëzimin. Megjithëse ditët e fundit ish-studentët e Gazetarisë kanë protestuar për formatin dhe përmbajtjen e këtyre diplomave, Ministria nuk ka kthyer një përgjigje zyrtare nëse do të ndryshojnë apo jo. Pikërisht për këtë arsye, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i ka dërguar dje MASH-it një shkresë zyrtare. “Unë sot i kam përcjellë shkresën zyrtare, ku i kërkoj që udhëzimi të sillet në përputhje me ligjin dhe është i korrigjueshëm, sepse është i verifikueshëm fakti që, kur ligji nuk ta jep kompetencën e miratimit të diplomave nuk mund ta bësh të ligjshëm me një akt nënligjor, me një udhëzim”, - sqaroi Kule. Rektori i UT-së u shpreh se nuk është kompetencë e Ministrisë të vendosë për formatin dhe përmbajtjen e diplomave. Kërkesave të studentëve për mosmiratimin e diplomave të Bolonjës i janë bashkuar edhe dekanët e fakulteteve. Ndërsa ish-studentët e Gazetarisë kanë protestuar sërish ditën e djeshme përpara Ministrisë së Arsimit për të marrë një përgjigje.
27 Janar 2009