Kryeqyteti në konkurrencë mes martesave dhe divorceve
Emanuela Sako
Numri i çifteve të divorcuara në kryeqytet gjatë vitit që lamë pas duket se i ka thyer të gjitha rekordet. Sipas shifrave zyrtare të dhëna nga njësitë bashkiake rezulton se numri i martesave dhe i divorceve po krijojnë konkurrencë me njëra-tjetrën, ku mund të thuhet se çdo dy çifte të martuara njëri shkon drejt ndarjes. Sipas statistikave të raportuara nga Bashkia e Tiranës, numri i martesave gjatë vitit 2008 është 3500, ndërsa në Gjykatën e Tiranës regjistrohen mbi 1500 divorce po gjatë këtij viti. Shumica e çifteve të divorcuara janë prindër me fëmijë. Sipas psikologëve që janë marrë me shqyrtimin e rasteve, shkak për konfliktin mes tyre ka qenë edhe kujdestaria e fëmijës. Shkaqet e ndarjes së çifteve janë nga më të ndryshmet, ku më tepër janë problemet social-ekonomike. Divorcet janë kthyer në një nga fenomenet më të përhapura në kryeqytet. Kërkesë-paditë e depozituara nga ana e familjarëve janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit pranë Gjykatës së Tiranës.
Arsyet
Arsyet e ndarjes janë nga më të ndryshmet dhe kryhen në rastet kur mes çiftit nuk ka asnjë mirëkuptim. Shkak për divorcet janë emigracioni, gjendja e vështirë ekonomike, tradhtia, xhelozia, arsimimi, mosmarrëveshjet e shumta etj. Për t’u përmendur mbetet dhe kultura familjare që kanë çiftet dhe raportet e vendosura në çift. Ndërsa dhuna në familje shënon rastet më problematike të shoqërisë. Në jo pak raste gratë e dhunuara i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për t’i dhënë fund lidhjes bashkëshortore, duke u paraqitur me shenjat e dhunës së ushtruar nga bashkëshortët. Shtimi i divorceve sjell dhe shtimin e probleme sociale të shoqërisë, pasi pamundësia për t’u kujdesur për fëmijët dhe papunësia sjellin lindjen e mjaft problemeve. Megjithëse shteti u jep prioritet për punësimin grave të divorcuara dhe me fëmijë, situata mbetet pothuajse e njëjtë. Bëhet fjalë për atë kategori që jeton në kushte të vështira ekonomike, apo që mund të jenë të pastrehë.
Fenomeni
Fenomeni i divorcit nuk prek vetëm kryeqytetin, por shtimi i çifteve të divorcuara vihet re në të gjithë vendin. Qytetet e mëdha shënojnë numrin më të lartë të divorceve. Kjo vjen për shkak të numrit të lartë të popullsisë, por edhe të mundësive më të mëdha të jetesës. Ndërsa në zonat larg kryeqytetit, mundësitë e divorcit mbeten ende më të vështira, pasi çiftet, për shkak të opinionit dhe pamundësisë për të jetuar, detyrohen të qëndrojnë së bashku. Qytetet që regjistrojnë numrin më të madh të çifteve të ndara, pas Tiranës, janë Durrësi, Fieri, Korça, Elbasani etj. Por problemet më të thella duket se i ka kryeqyteti, pasi dhe numri i popullsisë është më i madh se në rrethet e tjera.
“Urdhri i mjekut”, pacientët ankohen për mjekët e kryeqytetit
Pacientët kanë depozituar dhjetë ankesa për mjekët pranë “Urdhrit të Mjekut për muajin janar. Shkak për këtë janë bërë mosmarrëveshjet që kanë pacientët me mjekët për mënyrën e kurimit. Burime nga “Urdhri i mjekut” sqarojnë se për t’i bërë ballë kësaj situate duhet që spitalet të ndjekin disa standarde, mbi të cilat të bazohet puna e mjekut dhe njëkohësisht të njihen të drejtat e pacientit. Mosmarrëveshjet mes mjekut dhe pacientit shpeshherë kanë përfunduar në dhunë, ku pre e dhunës janë bërë mjekët. Kështu, mjekët janë vënë në shënjestrën e pacientëve, ku këta të fundit i akuzojnë se nuk i kanë kuruar siç duhet dhe për më tepër u kanë lënë pasoja në gjendjen e tyre shëndetësore. “Urdhri i mjekut” ka regjistruar të gjitha ankesat dhe aktualisht po merret me shqyrtimin e çështjeve për të parë situatën nëse mjekët kanë zbatuar punën e tyre, apo pretendimet e pacientëve janë të kota. Ankesat që depozitohen vazhdimisht janë kryesisht për mjekët stomatologë dhe okulistë. Rastet janë nga më të ndryshmet, në të cilat pacientët pretendojnë se u ka ikur shikimi pasi mjekët nuk kanë bërë mirë operacionin. Ndërsa në rastin e stomatologëve pacientët pretendojnë se mjekët u kanë shkaktuar probleme me dhëmbët gjatë kurimit dhe kanë ankesa për materialin e vendosur në rastin e protezave. Burime nga “Urdhri i mjekut” sqarojnë se problemet vijnë pasi një pjesë e madhe e klinikave private stomatologjike dhe okulistike janë të palicencuara dhe punojnë në të zezë. Duke punuar në këtë mënyrë, klinikat nuk janë të kontrolluara nga specialistët e Shëndetësisë. Ankesat e pacientëve që drejtohen pranë “Urdhrit të mjekut” diskutohen nëse janë të profilit të ankesave që shqyrton ky institucion ose jo. Nëse një ankesë e tillë është pjesë e diskutimit të tyre, atëherë ajo depozitohet me të gjitha të dhënat e sakta dhe dëshminë e pacientit. Më pas thirret mjeku përkatës për të dhënë versionin e tij. “Urdhri i mjekut” mbledh bordin ose Këshillin Rajonal për të shqyrtuar çështjen. Në rast se rezulton që faji është i mjekut, merren masa ndaj tij. Masat parashikojnë dy vjet heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit, ose, nëse pasojat janë me humbje të jetës, mjeku do të ndiqet penalisht nga organet e Drejtësisë. Në këtë rast, ”Urdhri i mjekut” nuk ka më përgjegjësi në këtë çështje dhe vendimi i ngelet gjykatës. Ankesat që pranohen për shqyrtim nga “Urdhri i Mjekut” kanë natyrë të ndryshme. Pacientët duhet të drejtohen në rastet kur vënë re se ndaj tyre është bërë një ndërhyrje e parregullt nga ana e mjekut, apo kur mjeku e ka neglizhuar sëmundjen e tij, që mund të jetë bërë shkak për pasoja të tjera te pacienti. Ky institucion mbron dhe kërkon ruajtjen e etikës profesionale të mjekëve dhe mbrojtjen e pacientëve.
27 Janar 2009