Ndihma ekonomike, në 2008-n u përjashtuan 5700 familje abuzuese
Rreth 5700 familje në të gjithë vendin janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike gjatë vitit 2008. Përjashtimi i tyre nga kjo skemë ka ardhur pasi e përfitonin ndihmën në mënyrë abuzive, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej disa miliona lekësh. Drejtori i Ndihmës Ekonomike në Shërbimin Social Shtetëror, Leonard Strazimiri, theksoi se numri më i madh i familjeve abuzuese në 2008-n i përkiste qarkut të Elbasanit. Ai bën të ditur se nga kontrollet e kryera gjatë vitit të kaluar në zyrat e ndihmës ekonomike të pushtetit vendor në të gjithë vendin, u vërejtën parregullsi dhe në dokumentacionin e personave me aftësi të kufizuar. Strazimiri konfirmon se numri aktual i familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike në të gjithë vendin është 93 mijë. Për vitin 2009 Shërbimi Social Shtetëror do të ushtrojë kontrolle intensive me qëllim shmangien e përfitimeve të padrejta nga skema dhe dhënien e saj për personat që vërtetë kanë nevojë. Për të përfituar ndihmën ekonomike kriteret vazhdojnë të jenë të njëjta, familjet duhet të jenë pa të ardhura ose të pamjaftueshme, përfitojnë jetimët e papunë mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18-25 vjeç, të cilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose në kujdestari, si dhe prindërit e fëmijëve trinjakë e më shumë, që u përkasin familjeve në nevojë.
27 Janar 2009