E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësohen dy emrat e shqiptarëve të vrarë në Siri

Publicisti dhe aktivisti i shquar shqiptarë në Siri, Muhamed Mufaku-Arnauti ka thënë se në mesin e shqiptarëve në Siri, pjesa dërmuese e tyre kosovar, ka të plagosur dhe të vdekur. Sipas Mufakut, deri më tash, dihen emrat e dy të vrarëve. Ata janë Munir Arnauti dhe Behlul Arnauti.

Mufaku, për radio Dukagjinin, ka thënë se lagja shqiptare në jug të Damaskut tash është e boshatisur si pasojë e bombardime të mëdha nga ana e regjimit sirian.

Për më shumë, largimi i atyre që kanë mbetur brenda në Siri është vështirësuar shumë, meqë autoritetet nuk lejojnë largimin nga vendi, kryesisht për në Jordani.

Po për këtë radio, Zv. ministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi ka thënë se në tërë këtë situatë, vështirësitë shtohen, pasi personat e vdekur nuk kanë pasur shtetësinë e Kosovës, por vetëm atë të Sirisë.

Sipas tij, ambasadat e Kosovës në vendet përreth do të jenë të angazhuara në përpjekjet që t’u dilet në ndihmë shqiptarëve që jetojnë në Siri, ndërsa Mufaku ka parashtruar nevojën e themelimit të një qendre ekskluzive ku do të vinin dhe merreshin informatat për fatin e shqiptarëve në këtë vend aziatik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›