Messi më i miri

Një ditë, Lionel Messi do të konsiderohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, ka thënë selektori i Argjentinës, Sergio Batista pasi shikoi dy golat e tij në fitoren 2-0 të Barcelonës ndaj Real Madridit, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Goli i dytë nga ylli argjentinas ishte i ngjashëm me depërtimin e Diego Maradonës kundër Anglisë, në Kampionatin botëror 1986. “Ne pamë Messin, të cilin e njohim dhe e duam të gjithë. Ai është në rrugë për t’u bërë futbollisti më i mirë në histori”, tha Batista për radiostacionin argjentinas, La Red.
“Duke pasur parasysh atë që ka bërë deri më tani dhe aftësinë për t’u përmirësuar ditë pas dite, ai tashmë është më i miri në botë. Jam larguar nga stadiumi duke i thënë vetes, ‘Faleminderit Zot që ekzistojnë futbollistë si (dyshja e Barcelonës) Xavi dhe Messi. Ata i mahnitin të gjithë”, shtoi ai.
Batista lavdëroi edhe Maradonën, kapitenin e tij nga ekipi që fitoi Kampionatin botëror 1986 në Meksikë, por tha se Messi mund ta tejkalojë atë. Si selektor i Argjentinës në Kampionatin botëror 2010, në Afrikën e Jugut, edhe Maradona tha se “Messi tashmë më ka tejkaluar”.
Mario Kempes, golashënuesi më i mirë kur Argjentina fitoi titullin e saj të parë në një kampionat botëror, më 1978, tha për Messin vitin e kaluar” krejt çka i nevojitet për ta vënë qershinë mbi tortë është Kampionati botëror”.
Messi 23 vjeç ka realizuar 52 gola në të gjitha garat këtë sezon dhe adhurohet në mbarë botën, por askund më tepër se në vendlindjen e tij, ku në bisedat mes atyre që përcjellin futbollin dominojnë krahasimet me të madhin Maradona.
Pas humbjes 4-0 të ekipit të Maradonës nga Gjermania në çerekfinale të Kampionatit botëror 2010, tifozët e Argjentinës shikojnë drejt garës së vitit 2014, në Brazil, duke shpresuar se atje Messi do ta çimentojë emrin e tij në mesin e futbollistëve më të mirë në histori. Loja e rrjedhshme dhe sulmuese e Barcelonës i përshtatet për mrekulli Messit dhe plani i Batistës është që Argjentina të luajë si skuadra katalone.
Alfredo Di Stefanos, futbollistit kryesor në dominimin e Realit në Kupën e Evropës nga 1956-60, nuk iu nevojit Kampionati botëror për t’u konsideruar në mesin e legjendave si Pele, Johan Cruyff dhe Maradona.
Di Stefano luajti fillimisht për Argjentinën, pastaj Spanjën në një epokë prej shumë më pak futbolli ndërkombëtar. Ndërsa Messi, përveç suksesit të madh me Barcelonën, do të mundohet t’i ndihmojë Argjentinës të fitojë titullin e parë pas 18 viteve si nikoqir në Copa America në korrik.
Ndoshta babai i Messisë, Jorge duhet të pyetet për një parashikim pasi analiza e tij nga e mërkura doli e saktë. “I kam thanë Lionelit të kënaqet në ndeshje dhe se Barcelona do të fitojë 2-0, me dy gola të tij”, tha Jorge për TyC Sports.