E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djurgarden i bën ofertë Skerajt

Nga Valon Konushevci më 30 prill 2011 në ora 12:38

Elitës së futbollit suedez (Allsvenskan) me gjasë do t’i shtohet edhe një futbollist kosovar. Bëhet fjalë për mbrojtësin anësor, Shqipron Skeraj. Ky i fundit i ka bindur drejtuesit e Djurgardenit, që t’i ofrojë kontratë, pasi ka dëshmuar kualitete gjatë provave.

Selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, i cili po ndërmjetëson në këtë transferim, ka bërë të ditur që Skeraj do të vendosë se a dëshiron apo jo ta pranojë ofertën e njërit nga klubet më të njohura në Suedi.

“Djurgarden i ka ofruar Shqipronit një kontratë afatshkurtër për fillim, me mundësi vazhdimi, pasi tash e një kohë të gjatë Shqiproni është pa ekip. Shqiproni tashmë ka shkuar në Gjermani, ku do të konsultohet me menaxherin e tij, dhe më pas, të dy ata do t’i negociojnë me klubin disa detaje të vogla, të anës ekonomike, dhe brenda katër apo pesë ditëve, Shqiproni do të vendosë përfundimisht”, deklaroi Bunjaku për Express.

Ish-futbollisti i Lirisë, Prishtinës dhe Greuther Furthit gati qe një vit është pa klub, që prej ndarjes me skuadrën gjermane TUS Koblenz, verën e vitit të kaluar. Andaj, Bunjaku thotë se për Skerajn ka ardhur një shans i mirë për të gjetur skuadër të re.

“Nënshkrimi i kontratës mes Shqipronit dhe Djurgardenit do të ishte në interes të të dyja palëve, sepse Shqiproni më në fund do të bëhej me skuadër, madje me famë në Suedi. Po ashtu, pas një kohe kontrata mund të përmirësohet në favor të tij. Ndërsa, Skeraj do të ishte shumë i rëndësishëm për Djurgardenin, sepse në Suedi ka mungesë të mbrojtësve si ai dhe një të tillë do ta bënte Djurgarden”, u shpreh Bunjaku, i cili muajve të fundit ka ndërmjetësuar edhe në disa transferime të tjera të lojtarëve kosovarë në ekipet suedeze.

Ai beson se Skeraj do t’i thotë ‘Po’ ofertës së ekipit suedez. Nëse 25-vjeçari e pranon ofertën e Djurgardenit, atëherë numri i shqiptarëve në Allsvenskan pritet të rritet në 14. Kohëve të fundit, elita e futbollit suedez ka qenë pistë për disa lojtarë kosovarë. Gjatë dimrit, në ekipet suedeze janë transferuar Liridon Leci, Alban Dragusha, Besnik Rrustemaj (Kalmar), Valdet Rama, Kushtrim Lushtaku (Orebro).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›