Nuk e lëshon Shqipërinë

Josip Kuze ka refuzuar Dinamo Zagrebin, derisa ka premtuar se do t’i mbetet besnik Kombëtares shqiptare. Trajneri kroat, i cili ka arritur rezultate të shkëlqyera në drejtimin e ekipit kuqezi, ka thënë se ndihet shumë mirë në Shqipëri.
Në këtë mënyrë, ai hedh poshtë spekulimet se gjatë sezonit të ardhshëm mund të rikthehej në klubin ku u bë i famshëm.
Pas pohimit se presidenti Mamiç, i ka telefonuar dy-tri herë, duke i kërkuar të kthehet te gjiganti kroat, por edhe me pjesëmarrjen në mbrëmjen gala për 100-vjetorin e krijimit të klubit, Kuze vlerësohej si kandidati më i mundshëm për të punuar te Dinamo e Zagrebit në sezonin e ri.
Madje, sipas mediave, 58-vjeçari kishte 70 për qind shanse që të zëvendësonte Vahid Halilhoxhiçin, përpara Zlatko Kranjcarit (trajner i Malit të Zi) dhe Robert Prosineçkit (trajner i Crvena Zvezdës).
Kjo për shkak se trajneri i Shqipërisë vazhdon të jetë idhulli i tifozëve, të cilët kujtojnë skuadrën e sezonit 2005-2006, kur Dinamo fitoi titullin me një lojë mjaft të bukur, ndërsa u paraqit mjaft mirë edhe në Champions League, ku u eliminua nga Arsenali në turin e dytë kualifikues.
Në momentin kur të gjithë ishin në ankth për të mësuar fatin e bankinës së Dinamos, Kuze ka kërkuar të bëjë të qartë qëndrimin e tij. Vetëm pak momente përpara se Mamiç të bënte publik fatin e trajnerit Halihoxhiç, tekniku kuqezi ka hedhur poshtë çdo mundësi që të largohej nga përfaqësuesja kuqezi.
“Të gjithë duhet ta keni të qartë se nuk jam kandidat për t’u emëruar trajner i Dinamos. Në Shqipëri ndihem shumë mirë dhe nuk mendoj të largohem nga Kombëtarja shqiptare. Është e vërtetë që me Mamiç kemi diskutuar rreth kthimit tim në skuadër, por kjo ka ndodhur përpara se ai të emëronte Halihoxhiçin. Ndërkohë, dua të saktësoj se së fundmi nuk kam qenë kandidat”, ka thënë Kuze për mediat kroate.
Kuze ka marrë drejtimin e Shqipërisë në muajin maj të vitit 2009, pasi ka zëvendësuar trajnerin holandez, Arie Haan. Kuqezinjtë ende i kanë gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian 2012. Shqipëria zë vendin e tretë në Grupin D me 8 pikë, sa ka edhe Bjellorusia në vendin e dytë, ndërsa ka katër pikë më pak se kryesuesi, Franca.