Shtohet interesimi për Mehmetin

Pas paraqitjeve të mira në elitën e futbollit suedez me skuadrën e Malmos, lista e klubeve të internuara për t’i siguruar shërbimet e Agon Mehmetin vazhdon të rritet. Sipas medieve suedeze, emri i sulmuesit kosovar është ndër më të përfoluri te kampioni i Suedisë, i cili ka zgjuar interesimin e klubeve të huaja.
“Nuk do të gënjej, kam marrë oferta nga klube të tjera pasi kontrata ime është në skadim. Bisedoj çdo ditë me menaxherin dhe e di se ka interesim të madh”, ka thënë Mehmeti për ueb faqen fotbolldirekt.se.
Anëtari i përfaqësueses U21 të Suedisë nuk ka dashur të flasë për emrat e klubeve që po e kërkojnë. Por ai ka thënë se mund të befasoheni nga emrat e klubeve të interesuara për të duke lënë të kuptohet që është duke u kërkuar nga ndonjë klub i njohur evropian.
Për kosovarin, muajt e verës për të do të jenë interesantë, pasi do të vendosë për të ardhmen. Por 21-vjeçari nuk ka përjashtuar mundësinë që të vazhdojë kontratën me Malmon, e cila skadon në fund të vitit 2011.
“Është duke shkuar gjithçka mirë rreth vazhdimit të kontratës, kam marrë një propozim, por ka ende detaje që duhet të rregullohen”, ka përfunduar Mehmeti, i cili në fanellën e Malmos ka realizuar 21 gola nga 71 paraqitje.