E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi, rezervist i Peles dhe Maradonës

Në ditët e Peles, Diego Maradonës dhe Johan Cruyffit, ylli i Barcelonës, Lionel Messi do të ishte rezervist. Kështu mendon ish-portieri i Argjentinës, Hugo Gatti, i cili thotë se sulmuesi i gjigantit katalan, para disa dekadash do të kishte qenë rezervist e jo yll. Njësoj mendon edhe për futbollistët e tjerë të klubit nga Nou Camp.

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi nga shumëkush konsiderohet si më i miri në histori të futbollit. Reprezentuesi argjentinas, edhe pse ende në moshë relativisht të re, 24 vjeç, me gjigantin nga Nou Camp ka fituar çdo garë në të cilën mori pjesë, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Kampionatin botëror të klubeve.

Messi është dy herë fitues i çmimit të futbollistit më të mirë të vitit në botë, kurse konsiderohet favorit për të triumfuar edhe në garë për edicionin e kaluar, që në rast se i takon atij, do të jetë i treti me radhë për futbollistin e lindur në Rosario.

Me gjithë dominimin e Messit në vitet e fundit, dhe dëshirës së pamohueshme të secilës skuadër në botë që ta kishte atë si pjesë e saj, ka të atillë që mendojnë se argjentinasi nuk do të ishte madje as titullar në kohën e mëparshme. Jo vetëm Messi, por asnjëri nga bashkëlojtarët e tij të tanishëm të Barcelonës.

Ish-portieri i Argjentinës, Hugo Gatti beson se Messi do të kishte pasur vështirësi të luante rregullisht në formacionin bazë në kohën e futbollistëve si Pele, Johan Cruyff dhe Diego Maradona. 67-vjeçari Gatti nuk mahnitet nga bashkëkombësi i tij dhe mendon se Messi do të kishte qenë rezervist në dekadat e kaluara.

“Futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave është pa dyshim Pele. Pas tij vijnë Alfredo Di Stefani, Johan Cruyff dhe Diego Maradona”, tha Gatti gjatë një interviste me Radio La Red. “Në aso kohe, Messi do të ishte rezervist, e jo yll. Të gjithë këta futbollistë të Barcelonës që thonë se luajnë për ekipin më të mirë në botë, do të kishin qenë rezervist në kohën e Peles, Maradonës dhe Cruyffit”, përfundoi ai. Gatti bëri 18 paraqitje për Argjentinën mes viteve 1967 dhe 1977.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›