E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesi përdhunon nxënësen në shkollë

Një mësues ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me nxënësen e tij të mitur. Ngjarja e rrallë dhe e rëndë ka ndodhur në zonën e largët të Gollobordës, në fshatin Klenjë të Komunës së Trebishtit, në rrethin e Bulqizës.

Mësuesi i shkollës nëntëvjeçare të Klenjës, Gëzim Çela, është vënë në pranga mbrëmjen e së enjtes, nën akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me nxënësen e tij, në shkollën ku jepte mësim prej vitesh. Këtë ngjarje e konfirmuan për gazetën "Shqip" burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër. Sipas këtyre burimeve, mësuesi 50-vjeçar kishte përdhunuar të miturën me inicialet F.S, 15 vjeç, nxënëse e klasës së tetë, në shkollën e Klenjës, ku ai jepte mësim.

Po sipas policisë, akti i përdhunimit të së miturës ka ndodhur më 27 janar të këtij viti, në ambientet e shkollës, në një kohë kur aty nuk ndodheshin persona të tjerë. Ndërkohë, nuk janë të qarta rrethanat që e detyruan nxënësen që të denoncojë ngjarjen e rëndë të përdhunimit të saj vetëm pas gati tri javësh nga kryerja e aktit seksual.

Vajza 15 vjeçe me inicialet F.S ka denoncuar mësuesin në Komisariatin e Policisë Bulqizë në prezencë të prindërve të saj. Ajo mësohet të ketë thënë se mësuesi përdhunues, Gëzim Çela, e ka ngacmuar në vazhdimësi në tentativë për të kryer marrëdhënie seksuale me të, gjë që e ka realizuar më 27 janar të këtij viti, në ambientet e shkollës së fshatit Klenjë.

Burime nga policia saktësojnë se pas denoncimit nga ana e vajzës dhe prindërve të saj, ka filluar puna operative e policisë kriminale, në mbledhjen e informative për këtë ngjarje të rëndë. Gjithashtu, mësohet se ajo që i ka bindur blutë e Dibrës, që në mbrëmjen e së enjtes të vënë në pranga mësuesin, ka qenë edhe përgjigjja e analizave të kryera nga mjekët e spitalit të Peshkopisë, në lidhje me virgjërinë e 15-vjeçares. Pas një kontrolli nga mjekët gjinekologë, policia ka marrë në dorë një raport që provonte se vajza kishte humbur virgjërinë pikërisht në kohën në të cilën ajo pretendon se është përdhunuar nga mësuesi i saj.

Aktualisht, mësuesi i gjuhës dhe letërsisë në shkollën nëntëvjeçare të Klenjës ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë në Peshkopi, si i dyshuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura.

Gjykata, pas denoncimit nga organi i akuzës, ka dhënë për mësuesin 50-vjeçar masën e sigurisë arrest me burg pa afat. Në ditët në vazhdim, në përballje me togat e zeza, pritet edhe ndëshkimi përfundimtar i tij.

Ky është rasti i dytë brenda kësaj jave kur policia e Dibrës arreston persona nën akuzën e përdhunimit të të miturave. Disa ditë më parë u arrestuan dy të rinj, të cilët akuzohen se rrëmbyen dhe përdhunuan një vajzë 16 vjeçe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›