Arrestohet greku, abuzoi me të miturën shqiptare
Një fëmijë shqiptar ka rënë pre e pedofilisë në shtetin grek. Bëhet fjalë për një vajzë 9 vjeçe, e cila është abuzuar seksualisht nga një 57-vjeçar me emrin Jorgos Jordhami. Ngjarja e rëndë ndodhi në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, në lagjen "Markopulos". Policia lokale tha se 57-vjeçari Jordhami ishte i martuar me një grua shqiptare dhe vajza 9 vjeçe e abuzuar seksualisht ishte mbesa e gruas së tij. Prindërit e vogëlushes, pasi mësuan për abuzimet nga vajza e tyre, bënë një denoncim në policinë e Athinës, që nga ana e saj bëri menjëherë arrestimin e 57-vjeçarit. Ky është rasti i tretë i pedofilisë që trondit opinionin publik grek, ndërsa ngjarja u denoncua nga prindërit shqiptarë të vogëlushes.