E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali i Pogradecit ndreq korrupsionin

Spitali i Pogradecit lëshon për herë të dytë raportin mjekësor për fëmijën 13 vjeçar, tetraplegjik E.Shahini.

Komisioni për KEMP në këtë spital hartoi nga e para raportin mjekësor të këtij pacienti, raport të cilin 20 ditë më parë e grisi përpara kameras së Fiks fare neurologu, doktor Llazi Binishi.

Tre javë më parë, Fiks fare denoncoi veprimet e këtij mjeku, i cili për firmën që do të hidhte në raport kërkonte si bakshish pensionin që përfiton fëmija nga shteti për një muaj. Përpara kameras së Fiks fare mjeku Binishi mori 10 000 lekë, ndërkohë që pesë mijë të tjera i kishte marrë më parë. Kjo ishte mënyra me të cilën mjeku Llazi Binishi firmosi raportin për fëmijën 13 vjeçar E.SHahini, nga fshati Senisht i Mokrës.

Babai i fëmijës, Bedri Shahini, denoncoi në Fiks fare veprimet e doktor Llazi Binishit, i cili nuk ia firmoste fletën e drejtimit për kemp pa i dhënë lekët. Këtë pagesë ai e bën çdo vit tek ky mjek, sa herë që i firmoste këtë document.

Kur gazetari i Fiks fare shkoi në zyrën e neurologut Llazi Binishi, ky i fundit sapo pa raportin që kishte firmosur kundrejt pagesës prej pesëmbëdhjetë mijë lekësh e grisi raportin, duke mohuar faktin se kishte marrë lekë për ta firmosur. Ndërkohë që ky raport përmbante dhe firmat e dy mjekëve të tjerë të komisionit.

Menjëherë pas transmetimit të pamjeve në Fiks fare, ku mjeku Binishi dhe infermieri i tij merrnin lekë, drejtori i spitalit të Pogradecit ka lëshuar urdhrin e largimit nga detyra të këtyre dy punonjësve për shkelje të ligjit dhe të betimit të Hipokratit. Më pas u mor vendimi për largimin nga puna të mjekut dhe infermierit.

Komisioni që miraton fletën e drejtimit për KEMP, firmosi një tjetër raport për fëmijën 13 vjeçar E.Shahini, në mënyrë që ai të mos humbasë pensionin ushqimor. Në vend të neurologut Llazi Binishi firmosi mjekja tjetër neurologe, e cila ka vetëm një javë që e ka zëvendësuar atë, Sekine Avdullahu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›