Mësuesit, 20% janë të paarsimuar
zirina llambro
Rreth 20% e mësuesve në rang vendi janë pa arsimin përkatës ose ushtrojnë profesionin jashtë profilit. Kjo është një nga problematikat që identifikohet nga vetë Ministria e Arsimit. Specialistët e këtij dikasteri pohojnë se duhen ndërhyrje thelbësore e tërësore në kualifikimin e mësuesve. Sipas tyre, sistemi aktual i trajnimit shfaq tendenca spontaniteti. Kjo analizë është argumentuar edhe në strategjinë kombëtare të arsimit parauniversitar 2009-2013. Në këtë dokument parashtrohen të gjithë objektivat që shtrohen për t’u arritur në këtë sistem. Ndër më të rëndësishmit është futja për herë të parë në vendin tonë e procesit të licencimit të arsimtarëve. Por përpara se të shtrohet kjo çështje në strategji jepet një panoramë e situatës aktuale. “Një nga çështjet më kritike me të cilat përballet MASH, është trajnimi i rreth 20% të mësuesve të pakualifikuar (pa arsimin përkatës ose jashtë profilit), mësuesve të rinj, në mënyrë që ata të përmbushin kompetencat në përdorimin e metodave të reja të mësimdhënies”, thuhet në strategji. Në të sqarohet se vihen re mangësi në kualifikimin e arsimtarëve. Plani vjetor i trajnimeve nuk mbështetet në plane strategjike dhe nuk mbështetet fare në identifikimin shkencor të nevojave profesionale të mësuesve në nivel qendror ose lokal. “Këto tipare bëjnë që të mbizotërojë oferta në dëm të kërkesës. Trajnimet nuk planifikohen gjithnjë me pikënisje standardet profesionale të mësuesve. Ndërkaq shërbimi trajnues është i paakredituar përmes standardeve të sigurimit të cilësisë”, saktësohet në strategji. Gjithashtu hartuesit e saj bëjnë me dije se asistenca profesionale ndaj mësuesve, e realizuar nga drejtuesit e shkollave, është me dobi të papërfillshme, përgjithësisht katandiset thuajse në zëvendësimin e këshillimit profesional me kontrollin e madje autoritarizmin hierarkik dhe rezulton kështu me kosto efektivitet të ulët. E teksa është trumbetuar jo pak nga ish-krerët e ministrisë, sistemi i kualifikimit të mësuesve i ngritur mbi parimin e pagës, në dokumentin strategjik thuhet se ky sistem nuk ka arritur qëllimin. “Ai ka funksionuar si një sistem provimesh që bie një shtesë automatike të pagës”, përcakton strategjia. Procesi i licencimit dhe akreditimit të mësueseve, si dhe zbatimi i procedurave për monitorim të vazhdueshëm, sipas hartuesve të strategjisë, mbetet objektiv kryesor. “Licencimi i mësuesve do të shërbejë si parakusht për të zënë një vend pune si mësues. Procedura e kërkesës për vend pune, e miratimit dhe e zgjidhjes së konflikteve, duhet të hartohet dhe miratohet formalisht nga qeveria dhe MASH. Kjo duhet të realizohet sëbashku me ngritjen e strukturave akredituese dhe reformimin e programeve të trajnimit të mësuesve”, nënvizohet në strategjinë e arsimit parauniversitar për 4 vitet e ardhshme. Aty shtrohet nevoja për studimin e skemave të reja të motivimit të mësuesve.