Tafaj: Edhe arsimi i mesëm do të kthehet me detyrim
Arsimi i mesëm brenda katër viteve të ardhshme do jetë me detyrim për të gjithë nxënësit. Këtë premtim, Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj, e bëri dje nga qyteti i Vlorës. Gjatë analizës vjetore të drejtorisë arsimore të këtij qarku, ai u ndal në pikat kyçe të reformës në arsim “Në bashkëpunim me pushtetin lokal ne do të arrijmë objektivin e braktisjes së arsimit bazë në masën 0%, dhe ndihma duhet të jetë edhe për thithjen e nxënësve jo vetëm në arsimin 9-vjeçar, por edhe në arsimin e mesëm, duke e kthyer atë në një arsim të detyrueshëm”, tha ministri Tafaj. Duke u ndalur në arsimin profesional, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, vlerësoi se ky arsim që po zhvillohet gradualisht në Shqipëri, gjatë këtyre viteve duhet të ketë një hov cilësor. “Arsimi profesional dhe bashkëpunimi i ngushtë i pushtetit vendor është i domosdoshëm për të thithur interesin e nxënësve dhe prindërve, të të gjithë komunitetit për këtë arsim”, - theksoi Tafaj.
Gjatë fundjavës ministri ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e analizës vjetore të arsimit në Drejtorinë Arsimore Korçë. “Cilësia e shkollimit do të përcaktojë nivelin e formimit të qytetarëve dhe duhet të jetë e orientuar kah standardeve evropiane. Arsimi shqiptar duhet të jetë pararendës i një Shqipërie evropiane”, - është Tafaj në fjalën e tij. Ai parashtroi përballë drejtuesve më të lartë të arsimit në Korçë edhe objektivat kryesore të punës në këtë fushë. “Përfshirja 100% e fëmijëve në moshë të hershme në kopshte, reduktimi i plotë i braktisjes së shkollës në arsimin bazë, ndërkohë që edhe për të rinjtë që përfundojnë shkollën 9-vjeçare duhet të tregohet kujdes i veçantë për t’i tërhequr drejt shkollave të mesme dhe më tej drejt universiteteve”. Ministri Tafaj i quajti këto objektiva si kolonat kryesore ku duhet të mbështetet reforma cilësisë në arsim. Lidhur me Maturën Shtetërore, ai i vlerësoi të suksesshme rezultatet e këtij viti për qarkun e Korçës, ku 52% e atyre që kanë përfunduar arsimin e mesëm tashmë vazhdojnë arsim e lartë. Për një cilësi të qëndrueshme, ministri Tafaj theksoi se duhet të respektohen me përpikmëri të gjitha shkallët e kësaj reforme të rëndësishme në arsimin tonë. Në fund të fjalës së tij, ministri Tafaj u ndal edhe në reformën e Altertekstit, të cilën e cilësoi si një nga reformat më të drejta dhe të mirërealizuara deri tani. Në vijim theksoi se duhet të përmirësohen ende disa çështje që kanë të bëjnë kryesisht me mënyrën e përfshirjes së njerëzve të specializuar në këtë sistem. “Do të vlerësohet më shumë autori i tekstit sesa shtëpitë botuese që realizojnë prodhimin e tij”, përfundoi ministri.