Mësuesit: Nxënësit nuk vijnë në konsultime
Arsimtarët ankohen se pjesa më e madhe e të rinjve nuk shfaqin interes për mësimin
Orët e konsultimeve të detyrueshme për mësuesit e shkollave duket se nuk do të japin rezultatin e pritshëm për t’u ardhur në ndihmë nxënësve. Shumë mësues i konsiderojnë këto orë shtesë në punën e tyre si krejt të kota dhe një ngarkesë më shumë, por pa efektivitet. Sipas tyre, nxënësit që kanë interes për mësimin dhe shkollën tregohen të vëmendshëm gjatë shpjegimit në klasë, në orën mësimore, ndërsa studiojnë dhe përgatiten edhe në shtëpi në mënyrë të vazhdueshme. Për këta nuk ka nevojë për orë shtesë konsultimesh. Nga ana tjetër, mësuesit shprehen se për nxënësit e painteresuar për mësimin, konsultimet nuk janë zgjidhje. “Deri tani nxënësit problematikë nuk kanë shfaqur asnjë interes për këto konsultime, ndonëse ne të gjithë si staf pedagogjik jemi të gatshëm t’u vihemi në dispozicion”, shprehet një mësuese letërsie në një gjimnaz të kryeqytetit. Gjithashtu mësuesit ankohen edhe për faktin se nxënësit problematikë bëhen në jo pak raste pengesë edhe në zhvillimin normal të orës së mësimit. Ndërsa për sa u përket konsultimeve, pohojnë ata, kjo kategori të rinjsh as që i frekuenton. “Për aq kohë sa një nxënës vjen në shkollë krejt i papërgatitur, madje pa libra e fletore dhe nuk dëshiron as të bëhet pjesëmarrës në mësim, si mund ta detyrojmë që të vijë në konsultime”, shprehet një tjetër mësuese gjimnazi.
Një tjetër mendim që vjen nga arsimtarët është edhe fakti se ajo çfarë mësojnë fëmijët, varion në varësi nëse ata janë të vëmendshëm ndaj objektivit të mësimit, nga strategjitë që ka zgjedhur mësuesi, nga organizimi i procesit të mësimit, nga aktivizimi i tyre, nga puna në grup etj. Për mësuesit vlen më tepër një impenjim më i madh nga të dyja palët gjatë mësimdhënies së programuar, se sa shtimi i një ore tjetër për të cilën ata thonë se mungon interesi i përgjithshëm. Por urdhri është i njëjtë për të gjithë mësuesit e shkollave. Ora e shtatë do të jetë orë konsultimesh dhe askush nuk do të largohet nga institucioni arsimor. Drejtoritë e shkollave kanë filluar menjëherë zbatimin e këtij urdhri të nxjerrë pak kohë më parë nga ana e drejtuesve të rinj të Ministrisë së Arsimit.
Një tjetër shqetësim që ata sjellin në vëmendje është edhe fakti se ditëve të shtuna nuk është e drejtë dhe as ligjore që të punojnë. E shtuna është shpallur ditë pushimi me ligj dhe për ta ndryshuar këtë kërkohet një vendimmarrje e ligjvënësve, theksojnë arsimtarët.
Nga ana tjetër, me shumë skepticizëm shihet kjo iniciativë e re në arsim, sidomos për shkollat periferike, e veçanërisht ato në zonat rurale, ku fëmijët hasin edhe vështirësi të tjera, si ajo e largësisë së institucioneve arsimore nga zonat ku banojnë. Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit nga ana e tyre shpjegojnë se konsultimet janë të domosdoshme për nxënësit, por njëkohësisht ato do t’i vinin fre edhe punës me kurset private, te të cilat sipas tyre nxitojnë të gjithë mësuesit. Cilësia e mësimdhënies dhe procesi i mësimnxënies aktualisht përbën një debat të hapur në arsimin shqiptar, në të cilin eksperimentet janë të shumta, por rezultati lë shumë për të dëshiruar.
#