Shkodër, nis normalisht procesi mësimor pas përmbytjeve

Shkodër, 18 janar, NOA Në shkollat e mesme
profesionale dhe universitetin Luigj Gurakuqi të qytetit të Shkodrës ka nisur
mëngjesin e sotëm procesi mësimor në mënyrë normale. Kjo pasi autoritetet
lokale e kanë konsideruar situatën emergjente të krijuar nga përmbytjet si të përfunduar
dhe prandaj, kanë lëshuar urdhrin bashkë me ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për
të rifilluar procesin mësimor në qytetin verior në mënyrë normale.
Deri në fundjavë, mësohet se konviktet e këtyre
shkollave ishin zënë nga banorët e zonave të përmbytura në qarkun e Shkodrës.
Por ministria e arsimit bëri me dijeni se konviktet
e shkollave të mesme profesionale të Shkodrës, përkatësisht Shkolla
Industriale, Shkolla Pyjore, Shkolla Teknologjike, Shkolla e Veterinarisë
Shkolla Artistike si dhe konvikti i studentëve tashmë janë të lira pas heqjes
prej andej të banorëve të zonave të përmbytura dhe akomodimin e tyre në një
tjetër ambjent.
Që nga data 2 janar e këtij viti, këto mjedise
u vunë që të gjitha në dispozicion të banorëve të zonave të përmbytura.
n.e/NOA