E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: “Berisha nuk mund ti shmanget lënies së llogarisë për aferat kriminale”

Kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS: “Reforma në Drejtësi dështoi”. Manjani: “Qeveria të ndalë sulmet institucionale ndaj Prokurorisë”

Shaban Sulçe
Projektligjet antikushtetuese të propozuara nga maxhoranca, që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë si dhe sulmet institucionale të qeverisë ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, kanë vënë në pikëpyetje serioze reformën në Drejtësi. Konstatimi bëhet nga kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, i cili e cilëson reformën në Drejtësi të dështuar. “Reforma në Drejtësi tashmë nuk ka asnjë kuptim me Sali Berishën kryeministër. Me gjithë këto skandale, morali i saj në publik ka rënë përtokë. Në këto kushte, të bësh reforma me një shkatërrues të shtetit është nonsens logjik dhe politik. Sidoqoftë, interesat e vendit do të jenë gjithmonë përcaktuese në sjelljen tonë politike”, - deklaron Manjani. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste shpjegon për gazetën “Albania” se pavarësisht se kryeministri Berisha ka sot numrat në Parlament, ai nuk do të mund t’i shmanget hetimit dhe dhënies së llogarisë në Prokurori për të gjitha aferat kriminale ku ai dhe klani i tij janë të implikuar. Manjani e cilëson shumë thelbësore ndërprerjen e sulmeve institucionale që qeveria ka ndërmarrë ndaj institucionit të Prokurorisë.

Zoti Manjani, në fillim të këtij viti, Partia Socialiste deklaroi se ishte e gatshme që të kontribuonte për reformën në Drejtësi për hir të integrimit të vendit. Megjithatë, një sërë projektligjesh të propozuara gjatë kësaj kohe nga maxhoranca janë kundërshtuar nga Partia Socialiste, duke i cilësuar ato si antikushtetuese. A mund të na bëni një përmbledhje të këtyre projektligjeve dhe arsyeve specifike të kundërshtimit të tyre?

Pikë së pari, Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet e angazhuar për reformimin e sistemit të Drejtësisë në vend jo vetëm si standard i munguar europian, por në radhë të parë si standard që u mungon shqiptarëve ditë për ditë. Gjyqësori, veçanërisht tre vitet e fundit, periudhë në të cilën presioni i Sali Berishës mbi të ka qenë dhe mbetet i lartë, është plagë e rëndë për të gjithë ne.
Me këtë logjikë, ne nuk zgjodhëm të prisnim ardhjen në qeverisje, siç edhe na sugjerojnë kritikët tanë, po u ulëm dhe hartuam një pakt reformash konkrete. Ky pakt sot e kësaj dite, përveç disa përshëndetjeve sa për sy e faqe nga ana e maxhorancës, fle në sirtarin e Jozefina Topallit. Me shumë zor maxhoranca pranoi të krijonte një komision parlamentar të posaçëm (në fakt është nënkomisioni i Komisionit të Ligjeve), i cili vetëm sa punoi për një projektligj për Pushtetin Gjyqësor. Pas këtij ligji qeveria nuk e ka parë "të arsyeshme" të bëjë reforma, por vetëm arnime të shëmtuar dhe që godasin themelet e funksionimit të shtetit sepse cenojnë hapur pavarësinë e Drejtësisë. Ligji për administratën gjyqësore, ligji për prokurorinë, ligji për noterinë dhe disa ligje të tjera që janë në Kuvend sot, janë thjesht nisma antireformë dhe antishtet dhe për këto arsye janë të papranueshme për ne. Nëse qeveria insiston t’i miratojë me forcë kartoni, është e sigurt që vitin e ardhshëm ne do t’i korrektojmë të gjitha këto ligje të mbrapshta. Në kushtet kur detyrohemi nga sjellja e qeverisë të marrim këtë pozicion, është e qartë se ideja e reformave konsensuale ka marrë fund.

A mendoni se maxhoranca ka përfituar nga konsensusi i deklaruar i PS-së duke propozuar këto projektligje për reformën në Drejtësi?

Unë mendoj se nga aq pak reforma që janë bërë me konsensusin tonë, ka përfituar vendi dhe jo maxhoranca e as opozita. Anëtarësimi në NATO, që qeveria e shet si arritje të saj, është vepër e përbashkët, ose e asnjërit. Alternativa që shtrohet është; ose ne i bëmë reformat me konsensus sepse na i kërkonte NATO-ja dhe për këtë merita është e dyanshme, ose ato që kemi bërë ne bashkë ose të ndarë nuk kishin asnjë vlerë për NATO-n, sepse anëtarësimi do të ndodhë, pavarësisht reformave. Cilëndo alternativë të zgjidhni nuk besoj se legjitimohet sjellja eksesive e propagandës së qeverisë, apo jo?! Prandaj nuk ka kuptim fjala "përfitim" politik, sepse politika nuk është tregti. Politika ka për detyrë ta drejtojë vendin drejt zhvillimit, dhe jo drejt degradimit, siç po e çon kjo maxhorancë. Ky degradim po përjetohet çdo ditë nga shqiptarët, kurrizi i të cilëve nuk e meritonte këtë peshë të rëndë që sjell qeverisja e keqe, e korruptuar dhe jo përfaqësuese e Sali Berishës.

Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, si do t’i cilësonit konfliktet e fundit të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme me Prokurorinë e Përgjithshme?

Nuk ka as konflikte, as përplasje ndërmjet institucioneve që ju përmendni. Ka sulm politik dhe institucional të qeverisë dhe të Sali Berishës, që përfaqësohet nga ministri i Drejtësisë dhe ministri i Brendshëm. E theksoj këtë sepse është tjetër gjë përplasja dhe tjetër sulmi. Në këto kushte, zgjidhja e këtij problemi është pushimi i sulmit. Kjo arrihet idealisht me largimin e Sali Berishës nga qeveria, por politikisht për shkak të numrave që ai disponon në Kuvend, kjo gjë është e pamundur. Në këto kushte duhen përdorur mjetet e tjera demokratike që ta detyrojnë këtë politikan përbindësh që të ndalojë sulmin. Ky është hapi i parë i domosdoshëm për t’u kryer. Në vijim, Sali Berisha dhe klani i tij duhen detyruar të paraqiten para drejtësisë për të shpjeguar për të gjitha ngjarjet kriminale që janë në hetim nga Prokuroria, duke filluar nga vjedhja masive e rrugës “Durrës-Kukës”, duke vazhduar me tragjedinë jonatyrore të Gërdecit e deri te shitja e interesave të vendit grupit të dyshimtë të Fazlliçëve. Kjo e fundit besoj se do të arrihet në një situatë tjetër politike, ku Sali Berisha nuk do ta gëzojë dot më mbrojtjen nga imuniteti parlamentar.

A mendoni se sulmi i qeverisë ndaj Prokurorisë e ka vënë seriozisht në rrezik reformën në Drejtësi?

Patjetër që po. Reforma në Drejtësi tashmë nuk ka asnjë kuptim me Sali Berishën kryeministër. Me gjithë këto skandale, morali i saj në publik ka rënë përtokë. Në këto kushte, të bësh reforma me një shkatërrues të shtetit është nonsens logjik dhe politik. Sidoqoftë, interesat e vendit do të jenë gjithmonë përcaktuese në sjelljen tonë politike.

Cili do të jetë qëndrimi i Partisë Socialiste në situatën aktuale për reformën zgjedhore?

Reforma zgjedhore tashmë është në përfundim. Ai është detyrim kushtetues për t’u përfunduar sa më parë. Kodi Zgjedhor duhet miratuar shpejt, sepse nuk ka kohë për të përgatitur infrastrukturën dhe strukturat që kërkohen për zgjedhje. Ne jemi të angazhuar tashmë në hartimin e Kodit Zgjedhor, sepse ekspertët tanë janë bashkëhartues të këtij kodi. Ne jemi duke pritur përfundimin e punës nga ana e komisionit parlamentar dhe jemi të angazhuar për ta miratuar atë sa më parë.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›