Mesuesit e liceut në grevë,2 muaj pa rroga
Bojkot mësimit në Liceun Artistik. Mësuesit e kësaj shkolle prej ditës së sotme nuk do të futen më në klasa. Ata protestuan dje, pasi nuk kanë marrë ende pagat që prej dy muajsh. “Deri sa të marrim paratë, që na takojnë nuk do të japim mësim. Është e papranueshme, që për gjithë këtë kohë ne nuk ka kanë kaluar akoma pagat”, u shprehën arsimtarët gjatë protestës. Ata pohojnë se akoma nuk u është dhënë asnjë sqarim as nga Ministria e Financave as nga ajo e Arsimit. Shumë prej mësuesve të liceut bëjnë përgjegjës ish-drejtorin për vonesën e pagave. Ata shprehen se, personi në fjalë ka shpërdoruar fondin e shkollës, madje edhe atë të pagave, pasi duke qenë se liceu është institucion arsimor kombëtar ka të drejtë të vetëmenaxhojë financën. Pranë Liceut Artistik në kryeqytet janë të emëruar rreth 200 arsimtarë. Të gjithë me një vendim unanim, kanë vendosur të bojkotojnë mësimin në formë proteste, derisa të marrin pagat.
Part-time
Universitetet shpallën dje fituesit e part-time. Listat janë afishuar në të gjitha fakultetet. Vetëm për Tiranën janë rreth 4845 persona, që do kenë mundësi të nisin këtë vit akademik me kohë të pjesshme. Për përzgjedhjen e studentëve u ngritën komisione të posaçme. Ato në bazë të kritereve seleksionuese kanë vendosur për më të mirët e të gjithë fakulteteve. Në degët ku janë kryer më shumë regjistrime sesa kuota, mesatarja ka qenë kushti përzgjedhës. Degët që kanë pasur fluksin më të lartë të regjistrimeve kanë qenë Psikologjia, degët e Shkencave Sociale, Fakulteti i Drejtësisë, Ekonomiku. Kërkesa të shumta janë paraqitur këtë vit edhe pranë Universitetit Bujqësor. Çelja e këtyre studimeve pas mungesës njëvjeçare, ka bërë që të rriten kërkesat, por për shkak të mungesës së kapaciteteve kuota e pranimeve janë të kufizuara. Për këtë vit akademik Qeveria ka miratuar për të gjitha fakultetet publike të vendit rreth 4845 kuota pranimi për studimet part-time, ato në distancë si dhe për transferim studimesh. Ky cikël studimesh rinis pas një ndërprerje 1-vjeçare.