Mësuesit me kontratë të përkohshme nuk do të largohen nga puna
Jonida Tashi
Asnjë mësues me kontratë të përkohshme në arsim nuk do të largohet nga puna në janar. Bëhet fjalë për të gjithë ata arsimtarë, të cilëve, afati i kontratës së përkohshme të punës u mbaroi në ditën e fundit të vitit që sapo lamë pas. Lidhur me këtë situatë, drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Tiranë, Arjana Bekteshi, ka bërë të ditur se asnjë mësues me kontratë të përkohshme nuk do të pushohet nga puna, pavarësisht se dita e fundit e punës, sipas kontratës, ka qenë data 31 dhjetor 2009. Në këtë mënyrë, Bekteshi ka qetësuar të gjithë arsimtarët që japin mësim në shkollat e kryeqytetit, duke konfirmuar se ata do të jenë pjesë e numrit të punonjësve mësimorë të Drejtorisë Arsimore të Tiranës. “Mësuesit që u ka mbaruar kontrata e përkohshme e punës në datën 31 dhjetor 2009, do të vazhdojnë të punojnë njëlloj si më parë. Nuk do të ketë asnjë largim nga puna. Po ashtu, edhe kur të nënshkruhen kontratat e reja të punës në arsim, këta mësues do të jenë sërish pjesë e kontratave të përkohshme të punës”,- ka deklaruar Arjana Bekteshi. Përveç garantimit të vijimit të punës për mësuesit me kontratë të përkohshme, Bekteshi ka bërë të njëjtën deklaratë edhe për ata të dispozicionit. Sipas saj, edhe për këtë kategori arsimtarësh nuk do të ketë largime nga puna.
Mësuesit me kontratë
Më 31 dhjetor të vitit 2009 mbaroi afati i kontratës së përkohshme të punës për 2243 arsimtarë në të gjithë vendin. Për rrjedhojë, deri para pak ditësh këta mësues, nuk ishin të informuar nëse do të ishin sërish pjesë e numrit të punonjësve mësimorë për vitin 2010. Vendimi për numrin e mësuesve me kontratë të përkohshme pune në arsim është marrë në datën 28 tetor 2009, dhe në ditët e fundit të muajit dhjetor ai u botua edhe në Fletoren Zyrtare. Konkretisht bëhet fjalë për vendimin nr.1108, datë 28.10.2009 “Për përcaktimin e numrit të punonjësve mësimorë, me kontratë të
përkohshme, për periudhën 14 shtator–31 dhjetor 2009, për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”. Sipas këtij vendimi, numri i punonjësve mësimorë me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për vitin shkollor 2009-2010, për periudhën 14 shtator-31 dhjetor 2009, do të jetë 2 243 veta.
Kontrata e re
Kontrata e re e punës kolektive për punonjësit arsimorë që ka nisur të hartohet që në fillim të vitit shkollor 2009-2010 do të nënshkruhet në nisje të vitit që jemi. Ndonëse baza e kontratës kolektive do jetë ajo e vjetra, në të është parashikuar të përfshihen edhe disa ndryshime të propozuara jo vetëm nga kjo Sindikata e Arsimit, por edhe nga vetë Ministria e Arsimit. Pikësëpari, shkak për nënshkruarjen e kontratës së kolektive të punës në arsim është bërë përfundimi i asaj aktuales, e cila mbaroi në fund të vitit 2009. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Sindikata e Arsimit në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit kanë vendosur që të bëjnë disa ndryshime në të, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës në sektorin e arsimit parauniversitar. Ndër pikat kryesore që janë diskutuar për t’u përfshirë në kontratën e re të punës, është kohëzgjatja e ushtrimit të profesionit, e cila pritet të jetë për katër vjet. Një pikë tjetër e propozuar nga Sindikata e Arsimit, për kontratën e re të arsimtarëve është rritja e kërkesave për përgatitjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve. Po ashtu, një pikë tjetër që Sindikata e Arsimtarëve do t’i japë tepër prioritet për t’u përfshirë në kontratën e re do të jetë edhe lëvizja e mësuesve, për të frenuar lëvizjen e vazhdueshme të arsimtarëve sa nga një shkolla në një tjetër, për mungesë të emërimeve definitive. Më tej, një kërkesë tjetër, jo pak e dëshiruar nga arsimtarët në vend, që Sindikata e Arsimit do t’i parashtrojë Ministrisë së Arsimit është edhe rritja e pagave të mësuesve.
8 Janar 2010