Aksidenton të miturin dhe largohet nga vendngjarja
ELBASAN - Një shofer 38-vjeçar ka aksidentuar një të mitur dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, por është prangosur disa orë më vonë nga policia. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmë, rreth orës 19:00 arrestuan në flagrancë shtetasin Arben Tomorr Skënderi, lindur e banues në fshatin Papërr në Elbasan. Sipas tyre, Skënderi, në aksin rrugor Peqin – Elbasan, në afërsi të fshatit Bishqem, Peqin, duke drejtuar mjetin e tij tip “Benz” me targë EL 2559 C, ka aksidentuar shtetasen E. H., 11 vjeçe, lindur e banuese në fshatin Bishqem. E lënduara po ecte rrugës kur është përplasur nga mjeti. Policia thotë se e dëmtuara ndodhet e shtruar në Spitalin kirurgjik të Elbasanit, jashtë rrezikut për jetën. Burimet policore shprehen se po sqarojnë rrethanat e aksidentit, ndërsa ndaj shtetasit Arben Skënderi nisën hetimet për veprat penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largimi nga vendi i aksidentit”.
Vritet i riu, 3 të shoqëruar në polici
DURRËS - Një i ri ka gjetur vdekjen pasi është qëlluar dje pasdite pas një përplasjeje mes familjesh të ardhura në periferi të Durrësit. Viktima është Preng Lazri, 22 vjeç, nga Shkodra, me banim prej disa vitesh në lagjen “Rinia” në Durrës. Policia tha se në këtë ngjarje është plagosur dhe kushëriri i tij, Xh. Lazri, 35 vjeç. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka bërë shoqërimin e 55-vjeçarit H. Bushi dhe tre djemve të tij, duke i identifikuar si të dyshuar për autorë të vrasjes së djeshme. Hetimet e para nxjerrin një konflikt në kohë mes familjes shkodrane, ku gjeti vdekjen Lazri, dhe asaj Bushi nga Dibra, për shkaqe ende të pasqaruara pronësie.
Arrestohet vrasësi i 71-vjeçarit në Pezë
Autori i masakrimit me sëpatë të fqinjit të tij në Pezë të Tiranës ka përfunduar në prangat e policisë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë kryer arrestimin e shtetasit Ferhat Qazim Çullhaj, 66 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gror, komuna Pezë. I arrestuari dyshohet se ka goditur me sende të forta (sëpatë) duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Shefik Grorit, 71 vjeç, me banim në Tiranë, ngjarje kjo e ndodhur më datë 4 janar 2010, në fshatin Gror të Tiranës. Nga grupi hetimor i formuar për këtë ngjarje janë kryer të gjitha veprimet procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti i kryerjes së krimit (sëpata). “Materialet në ngarkim të shtetasit Ferhat Çullhaj do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vrasjes me dashje”, - thotë zëdhënësja e Policisë së Shtetit.
8 Janar 2010