Ushtria Profesioniste kthehet në vend pune për të rinjtë shqiptarë
Në pamundësi për të gjetur një pune në këtë periudhë krize ekonomike, shumë të rinj e shohin Ushtrinë Profesioniste si një treg i mirë pune. Edhe pse ka vetëm pak ditë që ka hyrë në fuqi ligji për ushtrinë profesioniste, në qendrat e rekrutimit ka pasur dyndje të personave të interesuar. Sipas burimeve zyrtare pranë Qendrës së Rekrutimit të Tiranës, vetëm në një ditë regjistrohen 200 kërkesa të tilla. Kërkesat më të shumta janë nga djemtë, por, nuk mungojnë dhe nga vajzat. Mirëpo, pavarësish kërkesave jo të gjithë mund të vazhdojnë garën deri në fund. Për të qenë pjesë e Ushtrisë duhet të përmbushësh disa kritere.
Përzgjedhja
Shqipëria nga 1 janari i këtij viti do të ketë vetëm Ushtri Profesioniste, me pagesë dhe hierarki në bazë të funksioneve dhe gradave. Burime pranë Qendrës së Rekrutimit të Tiranës, bëjnë të ditur se gjatë këtyre ditëve të para të janarit janë regjistruar fluks kërkesash. Përveç dosjes që duhet të përgatisin me disa dokumente, aplikantët, duhet të kalojnë edhe dy testet para se të bëhen pjesë e kësaj ushtrie. Pas pranimit, rekrutimi i ushtarëve/detarëve profesioniste do të bëhet nga qendrat e Brigada e Stervitjes Bazë në Bunavi, në Vlorë, e cila do të bëjë certifikimin e ushtarëve profesioniste. Si vajzat edhe djemtë i nënshtrohen dy testimeve bazë, atij fizik dhe psikologjik. Modeli është ndërtuar me asistencën e ekspertëve të NATO-s, të cilët janë prezent vazhdimisht dhe gjatë konkurrimit të aplikantëve. Pasi mbarojnë provat fizike, kryesisht vrapim dhe ushtrime rezistente, aplikantëve iu duhet të përballojnë edhe provimin me pyetje të karakterit psikologjik. Ushtria shqiptare synon që të ketë një trupë me rreth 3600 vetë, ndër këta rreth 12 për qind ose 430 prej tyre të jenë nga radhët e femrave. Edhe vajzave përveçse një pagesë e kënaqshme i jepet mundësia edhe për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse jashtë vendit, ashtu siç kanë operuar deri më sot dhe meshkujt. Sipas specialistëve në këtë drejtori të rinjtë që plotësojnë kriteret për t’u bërë ushtarë profesionistë, në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv i ofrohet vetëm 9 javë stërvitje bazë në Br.S. Bunavi dhe pastaj punësim në Forcat e Armatosura si Ushtar Profesionist.
Kriteret
Të gjithë të rinjtë të cilët duan të bëhen pjesë UT-së duhet të kenë moshën 19 deri më 30 vjeç. E nevojshme është që kandidatët të kenë nënshtetësi shqiptare. Gjithashtu pranohen të kandidojnë të gjithë edhe ata të cilët kanë shkollë të lartë, por, edhe ata që kanë shkollë të mesme. Gjatësia për djemtë do të jetë mbi 165 cm, ndërsa për vajzat mbi 160 cm. Kriter i rëndësishëm është edhe pastërtia e figurës së personit, ku individi nuk duhet të ketë kryer më parë asnjë vepër penale. Pranimi i ushtarëve profesionistë bëhet brenda numrit limit të ushtarëve profesionistë të përcaktuar për çdo strukturë në urdhrin përkatës të Ministrit të Mbrojtjes mbi numrin e personelit në strukturat e Forcave të Armatosura që del për çdo vit buxhetor.
Përfitimet
Të gjithë vajzat dhe djemtë të moshës nga 19 deri në 30 vjeç do të kenë mundësi për arsimim dhe kualifikim të mëtejshëm në bazë të punës së kryer. Përfshirja në ushtrinë Profesioniste u jep atyre përfitimin e aftësive të reja profesionale gjatë gjithë hapave që do t’iu duhet të kalojnë. Ky kurs do t’i shërbejë si një përvojë e re jetësore dhe kulturore. Gjithashtu do jetë edhe vlera e ushtarit profesionist, e cila do të bazohet në përmbushjen dhe qëndrimin strik të detyrave nga ana e ushtarit. Ku më pas mund ti jepet mundësia për ngritje të mëtejshme në detyrë.
Pozicionet
Pozicionet e punësimit që do të vendosen këto forca janë në pozicionet më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare, ku deri sot janë mbuluar nga profesionistë me kualifikime dhe shkollim përkatës. Sipas njoftimit të nxjerrë nga Qendra e Rekrutim- Mobilizimit, punësimi i shtetasve kërkohet në Brigadën e Reagimit të shpejtë në Zall- Herr, Brigadën e Mbrojtjes Rajonale Tiranë, në Policinë Ushtarake Sauk, Komanda Mbështetëse Tiranë, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes Tiranë, Brigada e Logjistikës Tiranë, si dhe në Brigadën e Xhenios Tiranë. Të gjitha këto hapësira apo pozicione do të jenë të hapura për rekrutët, të cilët do të profilizohen sipas nevojave të Ushtrisë në RSH.
Vendimi që ktheu ushtrinë në profesioniste
Qeveria vendosi në vitin 2008 heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe kthimin brenda vitit 2010 në Ushtri Profesioniste. Falë atij vendimi u përcaktua që kjo ushtri profesioniste të arrihej në bazë të rekrutimit të ushtarëve të rinj, të cilët do të paguhen për shërbimet në Forcat e Armatosura shqiptare.
Në ndryshimet e miratuara nga kabineti qeveritar, në ligjin “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, theksohet se gjithkush që do të bëhet pjesë e ushtrisë shqiptare do të paguhet. “Qendra e rekrutim-mobilizimit përgjigjet për zbatimin e programit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, sigurimin e personelit të nevojshëm për shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv, rezervist, dhe të personelit profesionist (me pagesë), për plotësimin e njësive e të reparteve të Forcave të Armatosura”, përcaktohej në ligjin e ri duke ngarkuar përgjegjësi konkrete për këtë tjetërsim të Ushtrisë.
Dokumentacioni
-Kërkesë me shkrim nga personi I interesuar
-Duhet të plotësojë Formularin 1
-Certifikatë personale me fotografi
-Certifikatë familjare
-Dëftesë e shkollës së mesme ose të lartë e fotokopjuar dhe noterizuar. Po ashtu do ciklohet nga Drejtoria Arsimore e rrethit përkatës.
-Vërtetim se nuk është në proces hetimi nga Prokuroria
-Vërtetim se nuk është në proces gjykimi nga Gjykata
-Dëshmi penaliteti
-Dokument për aftësitë profesionale
-Raport mjekësor nga Spitali Ushtarak Qendror Universitar.
-Dy copa fotografi 4x6
-Dy copa fotografi 9x12
Si prioritete për përgatitjen e ushtarëve profesionistë janë:
•Kryerja e stërvitjes bazë në Br.S Bazë, Bunavi
•Kurseve institucionale dhe funksionale
•Kualifikimet e ndryshme si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij
•Kurse për specialitete të veçanta, si shoferë, manovratorë, mekanikë
8 Janar 2010