E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet private, kontrata individuale për çdo kontribues

Hyn në fuqi në datën 21 janar ligji “Për fondet e pensionit vullnetar”. Ligji i qeverisë “Për fondet e pensionit vullnetar”, që tashmë është botuar edhe në Fletoren Zyrtare, rregullon krijimin, veprimtarinë dhe mbikqyrjen e fondeve të pensionit vullnetar me kontribute të përcaktuara. Çdo anëtar mund të bëhet anëtar i një fondi pensioni, nëse më parë ka lidhur kontratë me shoqërinë administruese. Për të përfituar nga skema e pensioneve private, çdo i interesuar, mund të investojë letra me vlerë, para, apo çdo pasuri tjetër për të siguruar pensionin e tij të ardhshëm. Konvertimi i kontributeve të investuara në kuotë pensioni do të bëhet nga shoqëria administruese, me të cilin anëtari i fondit të pensionit ka lidhur kontratën. Po ashtu, ligji i ri ka përcaktuar edhe tre rastet kur anëtari i fondit të pensionit mund të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës neto të aseteve në llogarinë e vet ose pagesat periodike në formë pensioni. Këto tre raste përfshijnë: kur anëtari mbush moshën e pensionit, 5 vjet para saj dhe kur bëhet i paaftë për punë. Sipas ligjit, tërheqja e parakohshme në kundërshtim me këto tre raste shoqërohet me penalitete. Nëse anëtari vdes përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta, ato do t’u shpërndahen trashëgimtarëve të tij.
Shoqëritë administruese
Fondi i pensionit është gjithmonë i garantuar dhe nuk mund të jetë pjesë e procedurës së falimentimit të shoqërisë administruese. Kjo e fundit administron fondin e pensionit pasi të jetë licencuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Për rrjedhojë, çdo shoqëri administruese është përgjegjëse për fondin e pensionit që administron dhe ndaj çdo anëtari, për dëmet e shkaktuara nga neglizhenca e kryerjes së detyrimeve të saj. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, institutet ekzistuese të pensioneve do të ruajnë të njëjtat funksione që kanë qenë të vlefshme në çastin e krijimit të tyre. Por brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, ato duhet të paraqesin kërkesën për t’u pajisur me licencë, në të kundërt janë të detyruara të mbyllin aktivitetin e tyre. Fondet e pensionit në administrimin e tyre i kalojnë një shoqërie administruese të licencuar. Anëtarët që nuk dëshirojnë t’i transferojnë, mund t’i tërheqin ato. Punëdhësësi mund të krijojë një plan të pensionit profesional për punëmarrësit e tij, duke lidhur kontratë me shoqërinë administruese që do ta ofrojë fondin e pensionit për punëmarrësit e tij. Shoqëria administruese nuk mund të jetë palë e lidhur me punëdhënësin. Punëdhënësi mund të marrë përsipër detyrimin për të paguar kontribute për planin personal, duke kontribuar në emër dhe në favor të punëmarrëse, duke i bërë një ose disa pagesa të rregullta shoqërisë administruese për të mbuluar tarifat e kësaj shoqërie që duhet të paguheshin nga anëtari. Asetet e fondit të pensionit mund të investohen vetëm në asete të përcaktuara në rregulloren që do të nxjerrë për këtë qëllim dy muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit Autoriteti Financiar i Konkurrencës.
Kushtet e përfitimit
Çdo individ ka të drejtë të kontribuojë në skemën e pensioneve private, sipas dëshirës dhe mundësisë, duke lidhur kontratë me shoqërinë që do të bëjë menaxhimin e fondit. Sa u takon lehtësive fiskale, neni 88 i ligjit “Lehtësirat tatimore të kontributeve të anëtarëve të fondit të pensionit” i ka të ndara dhe të sqaruara qartë rastet e përfitimit. Si fillim, çdo person duhet të ketë parasysh se, kontributi i bërë në fondin e pensionit zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi. Po ashtu, kthimi i investimit, duke përfshirë fitimet nga kapitali, prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese. Pika 3 e nenit 88, tregon se, kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale të anëtarit. Për të pasur një kufi përfitimi dhe lehtësie fiskale, Ministria e Financave ka vendosur në ligj disa klauzola. Kështu, kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, përveç rastit të parashikuar në paragrafin 5, të bëra siç përcaktohet në rastet e mësipërme të nenit 88, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200 000 lekë dhe 15 për qind të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 3, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 250 000 lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Projektligji sqaron se, blerja e kuotave të një fondi pensioni është shërbim financiar dhe si rrjedhojë është e përjashtuar nga TVSH-ja. Po ashtu, shërbimet e ofruara nga depozitari për shoqërinë administruese dhe anëtarët konsiderohen si shërbim financiar dhe si rrjedhojë janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Për rrjedhojë, tatimi që shoqëron tërheqjen e parakohshme është sa norma e zbatueshme në momentin që bëhet tërheqja. Mosha 50 vjeç e sipër do të jetë kufiri ndarës që përcakton rastin e lehtësisë nga taksat.

Neni 88
Lehtësirat tatimore të kontributeve të anëtarëve të fondit të pensionit
1. Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi.
2. Kthimi i investimit, duke përfshirë fitimet nga kapitali, prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese.
3. Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale të anëtarit.
4. Kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, përveç rastit të parashikuar në paragrafin 5, të bëra siç përcaktohet në paragrafin 1 dhe 3 të këtij neni, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200 000 lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
5. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 3, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 250 000 lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
6. Blerja e kuotave të një fondi pensioni është shërbim financiar dhe si rrjedhojë është e përjashtuar nga TVSH-ja.
7. Shërbimet e ofruara nga depozitari për shoqërinë administruese dhe anëtarët konsiderohen si shërbim financiar dhe si rrjedhojë janë të përjashtuara nga TVSH-ja.
8. Tatimi që shoqëron tërheqjen e parakohshme është sa norma e zbatueshme në momentin që bëhet tërheqja.

Neni 89
Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga punëdhënësi
Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional konsiderohet si shpenzim operativ deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës të barabartë me 250 000 lekë dhe kjo shumë konsiderohet si shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit.

Kapitali që duhet të zotërojë shoqëria administruese

Shoqëria administruese, në çdo kohë, duhet të ketë një kapital të paktën 15 625 000 lekë. Kapitali i shoqërisë administruese llogaritet duke zbritur detyrimet nga asetet në bilancin e shoqërisë administruese. Kur vlera e aseteve në fondet e pensionit të administruara nga shoqëria administruese e kalon vlerën 31 250 000 000 lekë, shoqëria administruese duhet të rrisë kapitalin në mënyrë që shtesa e kapitalit të jetë të paktën e barabartë me 0,02% të vlerës së aseteve në fondin e pensionit që ajo administron. Megjithatë, nuk kërkohet që kapitali të kalojë vlerën 625 milionë lekë.

8 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›