Provimet e mbartura, Ekonomiku nxjerr datat për sezonin e janarit
Studentët duhet të regjistrohen në sekretari deri në tri ditë para provimit
Fakulteti Ekonomik në kryeqytet nxjerr datat për provimet e mbartura. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ditën e djeshme ky Fakultet ka bërë të ditur se studentët që kanë provime të mbartura për sezonin e muajit janar, për t’u pranuar në provim për lëndën përkatëse duhet të regjistrohen pranë sekretarive të departamenteve. Regjistrimi do të bëhet në departamentet përkatëse deri tri ditë përpara provimit. Studentët që nuk do të regjistrohen sipas këtij rregulli, nuk do të lejohen të hyjnë në provimet përkatëse. Sipas datave të vendosura nga drejtuesit e Fakultetit Ekonomik, sezoni i provimeve të mbartura të janarit do të hapet më 12 janar për të përfunduar në datën 20 të po këtij muaji.
Rregullat
Në rregulloren e Universitetit të Tiranës janë përcaktuar të gjitha kriteret për riprovimet dhe mbartjen e tyre. Studenti i sistemit me shkëputje nga puna ka të drejtë të hyjë në sesionin e vjeshtës (sesioni i riprovimeve) kur ka jo më shumë se katër detyrime mësimore të pashlyera. Në këtë numër përfshihen dhe detyrimet e mbartura. Nëse detyrimet e mbartura nuk shlyhen, studenti shpallet përsëritës për vitin mësimor që ndjek. Studenti bursist humbet të drejtën e bursës për vitin që përsërit. Studenti në sistemin me shkëputje nga puna shpallet përsëritës kur mbas përfundimit të sesionit të vjeshtës, mbetet në më shumë se dy provime. Në çdo vit mësimor studenti ka të drejtë të mbartë deri dy provime dhe të provohet për to deri në dy herë në vitin pasardhës. Herën e parë, para sesionit të provimeve të dimrit, në kohën e përcaktuar në strukturën e vitit mësimor. Ndërsa herën e dytë, lejohet vetëm në sesionin e riprovimeve.
Mbartja
Studenti në sistemin pa shkëputje nga puna është i detyruar që, në vitin pasardhës, të shlyejë paraprakisht detyrimet e mbetura. Mbas kësaj, atij i lind e drejta të shlyejë detyrimet e kursit që ndjek. Studenti i vitit të fundit që, në përfundim të provimeve të kursit, rezulton me deri tre provime të palikuiduara, ka të drejtë t’i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga Dekanati, përpara sesionit të provimit të shtetit. Studenti që shlyen këto detyrime, lejohet të hyjë në provimin e formimit ose në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së këtyre detyrimeve në sesionin e riprovimeve (të vjeshtës), ndërsa diplomimi bëhet në sesionin e dimrit. Studentët e vitit të fundit, që në përfundim të sesionit të verës rezultojnë me më shumë se tre provime të pashlyera, konsiderohen përsëritës për atë vit shkollor. Në çdo fund sesioni, dekanati i fakultetit shpall studentët përsëritës dhe ata të përjashtuar.
8 Janar 2010