Bllokohen 650 kg marijuane, në kërkim poseduesit
GJIROKASTËR - Policia ka sekuestruar një maune me 650 kg marijuanë, por nuk ka arritur që të prangosë trafikantët, të cilët e kishin marrë drogën në Lazarat dhe po e transportonin në drejtim të Sarandës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy net më parë u organizua operacioni i koduar me emrin “Ndjekja”, ku u sekuestrua sasia e drogës dhe u shpallën në kërkim disa persona. Rreth orës 23:30 të datës 06.01.2009, në aksin rrugor Gjirokastër – Jorgucat, poshtë fshatit Lazarat, si dhe në disa pika të tjera, specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër kanë ngritur postblloqe dhe pika kontrolli të fshehta. Nga këto shërbime janë kontrolluar disa automjete të dyshuara, të cilat po dilnin nga fshati Lazarat, por që s’ka rezultuar të kishin lëndë narkotike. Personat që donin të trafikonin lëndën narkotike në drejtim të Sarandës, duke parë se policia ishte në ndjekje, kanë ndërruar drejtim dhe rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 07.01.2010, me një kamion ku kishin ngarkuar një sasi të madhe lënde narkotike, e dyshuar si marijuanë, kanë filluar lëvizjen nga fshati Lazarat për në Sarandë nga një rrugë dytësore rrëzë kodrës së fshatit Dervician. Policia bëri kontrolle edhe në dalje të fshatit Goranxi, në rrugën dytësore. Pikërisht në këtë vend drejtuesit e mjetit me lëndën narkotike janë larguar duke përfituar edhe nga errësira dhe moti shumë i keq me stuhi. Si pasojë e krehjes së gjithë zonës, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i lëndës narkotike, e cila ishte e futur në 28 çanta shpine të mëdha.
8 Janar 2010