Pranga bashkëpunëtorit të Bashkim Qefalisë, vranë Artan Allushin 5 muaj më parë
Arrestohet pas 5 muajsh kërkim Ylli Biberi, i akuzuar si bashkëpunëtori i Bashkim Qefalisë në vrasjen e Artan Allushit. Ky i arrestuar ishte shpallur në kërkim prej disa muajsh nga ana e policisë, pas masës së sigurisë arrest me burg të caktuar nga Gjykata e Tiranës. Policia bën të ditur se ky person, bashkë më Bashkim Qefalinë, tashmë të arrestuar, kanë qëlluar me armë Artan Allushin pas një sherri të nisur midis tyre.
Arrestimi
Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Komani”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja e shumë të kërkuarit Ylli Selim Biberi, 27 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Kamzë Tiranë. Në ngarkim të tij, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” duke e akuzuar për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, si dhe “armëmbajtjes pa leje”. I kërkuari ishte në ndjekje prej 5 muajsh, por ditën e djeshme uniformat blu arritën ta arrestonin atë në Koman, Shkodër, në tentativë për t’u larguar në qytetin e Tropojës. Ylli Biberi akuzohet se më datë 26 korrik 2009, në afërsi të Doganës në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkim Qefalian, kanë vrarë me armë zjarri për motive të dobëta Artan Allushin dhe kanë plagosur Kujtim e Nertin Allushin.
Ngjarja
Vrasja e Allushit ka ndodhur më datë 26 korrik 2009 pranë Drejtorisë së Doganave në Laprakë të Tiranës. Kjo vrasje erdhi si pasojë e një grindjeje të nisur me grushte dhe dërrasa mes Allushëve dhe Qefalisë, përballë Drejtorisë së Doganave dhe përfundoi me të shtëna armësh ku mbeti i vrarë njëri nga vëllezërit Allushi. Sipas të dhënave nga hetimi, grindja mes tre Allushëve kishin nisur me Qefalinë duke e akuzuar këtë se kishte ngacmuar vajzën e Kujtim Allushit, por ky i fundit këmbëngulte se do ta merrte për grua. Por kjo kërkesë nuk është pranuar nga ana e vëllezërve Allushi, të cilët e kanë kundërshtuar këtë gjë. Më pas, Qefalia, në bashkëpunim me Biberin, kanë qëlluar me armë në drejtim të tre vëllezërve, duke vrarë njërin prej tyre dhe duke plagosur dy të tjerët. Një ditë pas ngjarjes policia arriti të arrestonte njërin nga bashkëpunëtorët e Qefalisë, Isa Lushën, shofer furgoni i linjës Kamzë-Tiranë, pasi ai e ka transportuar autorin për në një vend të sigurt. Vetëm dy ditë më pas u bë i mundur dhe arrestimi i vetë Qefalisë, pas një shpërblimi të vënë nga ana e policisë lidhur me informacionet për gjetjen e këtij personi. Por vetëm pas 5 muajsh u bë i mundur arrestimi i bashkëpunëtorit tjetër të Bashkim Qefalisë, i cili tashmë pritet të përballet me Drejtësinë lidhur më akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.
“Shtëpia e vjetër”, pranga prostitutës
Një operacion policor i koduar me emrin “Shtëpia e vjetër” përfundoi me ndalimin në kushtet e flagrancës të një prostitute. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se u arrestua shtetasja Flora Afmataj, 31 vjeçe, lindur në Krujë dhe banuese në Babrru, Tiranë. Sipas tyre, Afmataj, dje rreth orës 12:40, në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, në mjediset e lokal “Al...”, është kapur në flagrancë duke ushtruar prostitucion kundrejt pagesës, e cila varionte nga 2 000 deri 3 000 lekë. Policia thotë se ka sekuestruar një sasi lekësh, një aparat celular dhe pasaportën. Ndaj 31-vjeçares nisën hetimet për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit.
8 Janar 2010