Mësuesit, qindra km për 20 minuta fjalim të Berishës
Dështon koncerti i programuar nga qeveria, me rastin e ditës së 7 Marsit, festës së mësuesit
Ka zgjatur vetëm 20 minuta festa e organizuar nga qeveria për qindra mësues, që ishin detyruar të vinin edhe nga rrethet më të largëta, për të mbushur vendet e sallës së madhe të Pallatit të Kongreseve. Ndryshe nga sa ishte parashikuar, takimi festiv me rastin e ditës së mësuesit, ka nisur dhe ka përfunduar vetëm me fjalën e gjatë të mbajtur nga Kryeministri Sali Berisha, i cili ka bërë një rezyme të të gjithë punës që qeveria e tij ka bërë për fushën e arsimit.
Zhgënjimi
Kjo ka lënë të zhgënjyer qindra mësuesit e mbledhur në Pallatin e Kongreseve, të cilët nisur edhe nga përvoja e një viti më parë, duket se ishin përgatitur shpirtërisht, që përveç propagandës politike, të argëtoheshin me anë të një koncerti, si një shpërblim minimal për punën e tyre, por edhe për rrugën e gjatë që kishin bërë. Shumica e mësuesve kishin ardhur të organizuar me autobusë nga rrethe të tilla të largëta, si Korça, Gjirokastra, Vlora, Berati apo edhe Shkodra. Por, jo vetëm mësuesit kanë mbetur të zhgënjyer, pasi edhe grupi i fëmijëve, i veshur me kostumet popullore dhe i përgatitur gjatë për të marrë pjesë në këtë shfaqje, nuk ka mundur të performojë. Fëmijët kanë pritur më kot zbathur në tribunë, deri sa Kryeministri ka mbaruar fjalimin e tij politik. Kjo pasi, mbyllja e fjalës së Berishës ka qenë njëkohësisht dhe mbyllja e takimit, megjithëse nuk u deklarua asnjëherë nga spikerja, që foli vetëm në fillim, kur ftoi në skenë Kryeministrin. Mungesa e një njoftimi për mbylljen e aktivitetit dhe organizimi i dobët, ka bërë që pjesëmarrësit në këtë takim të mos kuptonin se "festa" kishte mbaruar, pasi vijuan të qëndrojnë ende në sallë.
Berisha
Pasi ka uruar 7 Marsin, festën e mësuesit, shefi i qeverisë, nuk ka vonuar ta kthejë këtë takim në pjesë të fushatës së tij elektorale. Kreu i ekzekutivit ka bërë të ditur vendimin e qeverisë së tij, të reflektuar edhe në buxhetin e shtetit, për të rritur përsëri rrogat e mësuesve një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, të cilat sipas tij, në raport me 2005-ën, do të arrijnë të dyfishohen. "Sot, çdo mësues i këtij vendi është i sigurt se, më 1 maj të vitit 2009, rroga e tij do të jetë dy herë më e lartë se në vitin 2005. Mësuesit po ndryshojnë, Shqipëria po ndryshon, për punë, kualifikim, strehim, do të jenë motoja jonë", - tha Kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu, në kuadër të fushatës elektorale, Berisha ka premtuar për katër vitet e ardhshme kushte më të mira pune për mësuesit, kualifikim, dhe infrastrukturë të plotë arsimore.