Rama hap librin e programit të ri të PS-së për arsimim
Kreu socialist, me rastin e festës së 7 Marsit, ditës së mësuesit, ka zhvilluar dje një vizitë në Korçë
Edi Rama ka zgjedhur të hapë "librin" e programit të ri për arsimin të Partisë Socialiste në qytetin e Korçës, në shtëpinë e mësonjëtores së parë shqipe. Në ditën e mësuesit, Rama dhe drejtues të lartë të PS-së që e shoqëronin, kanë qenë në qytetin e Korçës, ku fillimisht kanë vizituar ekspozitën me tekste të vjetra shqip, të vitit 1912, por edhe më të hershme, ndër to dhe një libër të Sami Frashërit, shkruar në vitin 1908, të Aleksandër Xhuvanit, Karl Gurakuqit apo Niko Çekrezit dhe shumë rilindësve të tjerë. Më pas kanë zhvilluar një vizitë në familjen e mësuesit të nderuar, Pandi Vakëflli, për t'u ndalur në fund në një takim me mësues të këtij qyteti në mësonjëtoren e parë të gjuhës sonë. Rama ka theksuar se arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe mjeti më i efektshëm kundër papunësisë, prandaj dhe PS-ja ka vendosur që ta ketë atë prioritetin e prioriteteve të saj për katër vitet e ardhshme, gjithmonë në rast se më 28 qershor do të fitojë të drejtën për të qeverisur vendin. "Flasim sot për një papunësi në rritje dhe për mungesën e alternativave për punësim, në radhë të parë për të rejat dhe të rinjtë, por nuk mund të ketë një zgjidhje magjike dhe nuk mund të ketë zgjidhje jashtë arsimimit. Arsimimi është armiku më i efektshëm ndaj varfërisë dhe papunësisë", - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. Kryeopozitari u shpreh më tej se, me fitoren e 28 qershorit do bëhen realitet gjëra që, 18 vite rresht nuk janë bërë, pasi për arsimin vetëm është folur nga politika e vjetër e premtimeve të pambajtura, por pa mundur të realizojë asgjë. "Ajo që do të bëjmë është se do të unifikojmë programet mësimore me një model europian të përafruar, duke pasur në konsideratë domosdoshmërinë që, në të njëjtën kohë, të unifikojmë modelin e programeve mësimore me Kosovën. Ne do ta çojmë, minimumi 5 % kontributin e buxhetit për arsimin. Ne kemi vetëdijen dhe vullnetin e munguar për 18 vjet, dhe do të realizojmë të gjitha ato që premtojmë", - tha Rama. Ky takim përbën dhe nisjen e turit të Kryetarit të PS-së për prezantimin e programit politik dhe qeverisës të kësaj force.