Vendimi, kushtet e reja për gradën shkencore “Doktor”
Vetëm pak muaj më parë, Qeveria miratoi vendimin për kushtet e reja të marrjes së doktoraturës. Ndryshimet sipas Ministrisë së Arsimit u bënë për t’i dhënë më shumë hapësira shkencëtarëve të rinj. Në vendimin “Për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës dhe përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojë studenti për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”, është shtuar një pikë mjaft e rëndësishme. Sipas saj kandidatët e pajisur me DND dhe DIND dhe që kanë botuar si autor i parë së paku 3 artikuj shkencorë në revistat e huaja, me faktor impakti mbi 1.0, kanë të drejtë t’i paraqesin dekanit të fakultetit dhe për dijeni, rektorit të Institucionit të Arsimit të Lartë, , një kërkesë për mbrojtjen e doktoratës mbi bazën e artikujve shkencor të botuar (disertacion kumulativ). Kërkesa duhet të jetë e shoqëruar nga dy referenca/rekomandime nga profesorë të vendit ose të huaj, që vlerësojnë se vëllimi dhe cilësia e punimeve shkencore të përfunduara me botimet e sipërpërmendura, plotësojnë kushtet për kërkimin e gradës shkencore “Doktor”. Ata i propozojnë Këshillit të Profesorëve dhe dekanit ngritjen e Jurisë për provimin e doktoratës. Dekani i fakultetit ia kalon menjëherë Këshillit të Profesorëve, për shqyrtim kërkesën. Këshilli i Profesorëve shprehet, brenda një muaji nga marrja e kërkesës, për ngritjen e Jurisë për provimin e doktoratës dhe dekani nxjerr urdhër për ngritjen e saj. Juria, brenda një muaji, vlerëson provimin e doktoratës së kandidatit.”Kandidatët që nuk janë në marrëdhënie pune në një Institucion të Arsimit të Lartë, i dërgojnë kërkesë dekanit të fakultetit të Institucionit të Arsimit të Lartë, që zhvillon studime të doktoraturës në fushën ku është kryer kërkimi shkencor dhe është përgatitur teza e disertacionit në formë kumulative.”,thuhet në vendim.