E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, Dita e Verës përplas Bashën me Ramën



ELBASAN / ALDO KOZARJA

Mijëra qytetarë nga Elbasani dhe mbarë Shqipëria kanë festuar në një ditë të ngrohtë 14 marsin. Në fakt festimet kanë startuar që mbrëmjen e së shtunës në sheshin kryesor të qytetit, për të vazhduar gjatë ditës së djeshme.
Në skenën e ngritur nga bashkia, koncertet me këngëtarë dhe vallëtarë të ansamblit "Isuf Myzyri", shoqatës kulturore-artistike "Zana" nga Ulqini dhe ansambli grek nga Selaniku, u ndoqën për rreth tre orë nga një publik i gjerë, i cili kishte bllokuar thuajse gjithë bulevardin kryesor të qytetit. Deri në orët e para të mëngjesit sheshet ishin të mbushur plot, pasi veç qytetarëve elbasanas, mbërritën edhe shumë të ftuar nga rrethet të tjera të vendit. Dita e Verës është festë e përtëritjes së natyrës, ndërsa njihet ndryshe si festa e luleve. Në Elbasan është bërë festë popullore e mbarësisë familjare. Paraditen e djeshme në rrugë kanë vërshuar fëmijë e të rinj me kostumet shumëngjyr-ëshe të karnavaleve, duke i dhënë gjallëri festimeve. Hapja e panairit, inaugurimi i shatërvanit në afërsi të filialit të postës dhe përurimi i lulishtes së poetëve pranë godinës së bashkisë ishin pjesë të aktiviteteve të 14 marsit. Në festën tradicionale të zhvilluar në Elbasan, tashmë të shndërruar në ditë kombëtare, nuk kanë munguar dhe politikanë. Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha shoqërohej nga anëtari tjetër i kabinetit qeveritar, Genc Ruli, ministër i Bujqësisë. Ty dy ata kanë vizituar panairin me prodhime të ndryshme, të prezantuara nga 45 firma, jo vetëm shqiptare, por dhe italiane, të ardhura enkas në Elbasan për këtë eveniment. "Ditë më të gëzueshme do ta pasojnë 14 marsin, me liberalizimin e vizave dhe ndërtimin e rrugës Elbasan-Tiranë", u shprehën ministrat. Drejt Elbasanit udhëtoi dje dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili la Tiranën dhe para mesditës mbërriti për të festuar në qytetin ku ka lindur Dita e Verës. Rama, njëkohësisht kryebashkiak i kryeqytetit, ka vizituar panairin, pak kohë pasi ishin larguar dy ministrat e PD-së. Ashtu si dhe qytetarët e shumtë ata kanë provuar prodhimet vendase, ku si gjithmonë mbretëresha e festës ishte ballokumja. Veç panairit, të gjitha rrugët ishin pushtuar nga shitësit ambulantë të kësaj ëmbëlsire tradicionale. Vlen të thuhet se festimet për ditën e verës në qytetin e Elbasanit kanë kaluar pa asnjë incident, kjo falë marrjes së masave të forta nga ana e drejtorisë së policisë së qarkut. Policia rrugore ka bllokuar lëvizjen e makinave në zonat e mbipopulluara me qytetarë dhe ato ku zhvilloheshin aktivitetet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›