E Diel, 1 Nëntor 2026

Një Fond Monetar për Bashkimin Evropian?

Eno Bozdo

Në muajt e fundit, e sidomos pas shpalosjes së plotë të krizës financiare të Qeverisë greke, në institucionet politike e financiare evropiane po artikulohet gjithnjë e më shumë ideja për krijimin e një Fondi Monetar Evropian. Kriza financiare e Qeverisë Greke, e shoqëruar me uljen e vlerësimit të kreditit të Irlandës nga "Standard & Poor`s", (i dyti në tre muaj), së bashku me pamundësinë reale dhe vonesën e pritshme të Letonisë për të hyrë në zonën Euro, të gjitha së bashku kanë bërë që në vendet e Eurozonës të diskutohet gjithnjë e më shumë për nevojën e një mekanizmi "shpëtues" për vendet të cilat mund të "shemben" nën peshën e borxhit të tyre, duke krijuar kështu një risk real dhe të pashmangshëm për të gjithë sistemin monetar të Eurozonës.
Vetë ideja e thirrjes në ndihmë të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të ndërhyrë në rastin e Greqisë, por edhe eventualisht në rastet e tjera, e ka vendosur BE në një vështirësi jo të pakët, për sa kohë i duhet që bashkë me ftesën ndaj FMN-së, të artikulojë edhe mbi arsyet e dështimit të Unionit, në parandalimin e "tepricave fiskale" dhe mosrespektimin e traktateve të saj. E ndërsa ka mendime të ndryshme për sa i përket ngritjes së këtij "mekanizmi shpëtues", si dhe formatit që ai duhet të ketë, BE është në të njëjtën linjë mendimi, kur e përjashton ndërhyrjen e FMN në hapësirën euro të saj.
Në shkurt të këtij viti, në një studim të publikuar nga studiuesit Gros dhe Mayer në CEPS, në një "think-tank" shumë të njohur evropian, argumentohet ideja e ngritjes së një institucioni evropian, i cili do të shërbente për të shpëtuar vendet e Eurozonës, në raste ekstreme financiare, por do të mundte të shërbente në të njëjtën kohë edhe si një "watchdog" për të gjitha vendet e Eurozonës, të cilët do të tentonin të shkelnin kriteret financiare të Maastricht-it. Studiuesit argumentojnë se një format i mundshëm i EMF (European Monetary Fund) do të ishte potencialisht ai i Fondit Monetar Ndërkombëtar, por ndoshta edhe më i zgjeruar se kaq: EMF mund t`i jepej e drejta ekskluzive e vendosjes së sanksioneve për vendet të cilat nuk i mbahen planeve të ristrukturimit, instrument ky i domosdoshëm, por që praktikisht FMN nuk e disponon. Në të vërtetë, ngritja e një institucioni të tillë dhe implementimi i një politike monitoruese dhe shtrënguese në të njëjtën kohë, do të ishte një hap gjigand për një koordinim në një nivel më të lartë ekonomik dhe financiar për të gjitha vendet e Eurozonës.
Banka Qendrore Evropiane praktikisht sot përfaqëson "kulmin" e integrimit të politikës monetare të vendeve Euro. Por si çdo Bankë Qendrore, misioni i saj primar është stabiliteti i çmimeve dhe mbajtja në nivel të pranueshëm të inflacionit, në Eurozonë. Ajo gjithashtu përcakton dhe implementon politikën monetare për Eurozonën, mbikëqyr rezervën valutore të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, si dhe operacione të tjera të lidhura ngushtë me rolin e saj si një Bankë Qendrore. Pra Banka, nuk mund të marrë një rol të tillë. Pas publikimit të artikullit të mësipërm, debati është ndezur dhe ka kapërthyer praktikisht nivelin më të lartë politik të BE, si dhe institucionet e saj, përfshirë edhe Bankën Qendrore Evropiane. Ministri Gjerman i Financave Schäuble mori një qëndrim pozitiv kundrejt propozimit, duke deklaruar se Gjermania e shikonte me interes këtë ide, e cila sipas tij, kishte ende nevojë të artikulohej. Qëndrimi gjerman ndaj kësaj ideje është i kuptueshëm për sa kohë Gjermania ndodhet nën presionin e Eurozonës, që të "ndërhyjë" ne rastin grek, si dhe nga presioni i kundërt politik i brendshëm i saj, për të mos hedhur asnjë hap më tej në rrugën e një "shpëtimi" të mundshëm për financat greke. Për më tepër, sidomos nga krahu konservator i politikës, ekziston risku i ngritjes së padisë në Gjykatën Kushtetuese Gjermane për një ndërhyrje të mundshme për të "shpëtuar" Greqinë, e cila në sytë e opinionit publik gjerman shikohet si përgjegjëse e plotë për këtë "thuajse-katastrofë financiare" me të cilën Qeveria e Papandreut duhet të përballet me shumë seriozitet. Por, nga ana tjetër Gjermania, si ekonomia më e madhe nuk mund t`i shpëtojë rolit dhe përgjegjësive të saj për të gjitha vendet e Eurozonës, madje edhe për vetë sistemin euro, i cili do të ishte nën një presion të lartë nëse Greqia eventualisht do të shkonte drejt falimentimit.
Burime thuajse të sigurta njoftojnë se Kancelaria Merkel dhe Presideni Sarkozy po bashkëpunojnë për të shmangur diferencat dhe për të prezantuar shumë shpejt përpara BE-së, planin e tyre të përbashkët për ngritjen e EMF, me rol dhe kompetenca të përafërta me FMN. Megjithatë, ka një dallim të qartë politik në përqasjen e tyre kundrejt kësaj ideje: Merkel mendon se një ndërhyrje e tillë do të kërkonte domosdoshmërisht modifikimin e Traktatit të Lisbonës, por edhe atij të Maastricht-it, ndërsa Sarkozy duke reflektuar dyshimet e tij për amendime të këtyre traktateve (që do të kërkonin përsëri jo vetëm konsensusin e vendeve anëtare, por edhe ratifikimin e amendimeve nga çdo vend), është shprehur se e koncepton ketë ide si një plan afatgjatë, që jo domosdoshmërisht kërkon amendim të traktateve themelorë të BE-së.
Në nivelin teknik, duket sikur kjo gjë do të jetë e pamundur: Neni 103 i traktatit të Maastrich-it përcakton qartazi pamundësinë e një vendi për të ndërhyrë e marrë përsipër borxhet (për të shpëtuar) një vend tjetër. Megjithatë, neni 100, i të njëjtit traktat, hap shtegun për një operacion të tillë, duke theksuar se ndihma mund të jepet për vendet që "ndeshin vështirësi financiare të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore, apo shkaqe përtej kontrollit të tyre". Ndërkaq duhet thënë se hartuesit e këtij traktati "kanë dështuar" të parashikojnë rastet (si ky i Greqisë, por ndoshta edhe Irlanda e Spanja) kur vendet për arsye nga më të ndryshmet përballen me situata të tilla. Neni i famshëm 103 mbyll derën për ndërhyrje, por a është realiste të mendosh se vendet e Eurozonës do të bëjnë indiferentin, ndërsa sistemi monetar i tyre mund të pësojë një goditje fatale? Vështirë do të ishte.
Në anën "pro" të këtij propozimi duket sikur është radhitur edhe Komisioni Evropian: dy ndër komisionerët më influentë të tij, Olli Rehn, Komisioneri për Ekonominë dhe çështjet Monetare, si dhe Antonio Tajani, Komisioneri për Industrinë, kanë shprehur jo vetëm gatishmërinë për të shqyrtuar në detaje një propozim, por edhe e kanë mbështetur këtë, duke sugjeruar që ngritja e një mekanizmi të tillë do të kërkonte detyrimisht vendosjen "e kushteve shumë të forta" për vendet që do të kërkonin mbështetje financiare. Pra, praktikisht një institucion shumë i ngjashëm me FMN-në.
Megjithatë, disa anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane duket sikur këtë ide e shikojnë si jo të përshtatshme. Jurgen Stark, një anëtar prominent i Bordit Ekzekutiv, deklaroi se ngritja e një institucioni të tillë do të thyente principet e Eurozonës dhe do të minonte mbështetjen publike për euron dhe BE-në. Alex Weber, presidenti i Bundesbank, deklaroi gjithashtu se marrja nën shqyrtim tani, i kësaj ideje do të ishte një diskutim jo i frytshëm dhe do të shmangte vëmendjen e vendeve si Greqia, në masat kufizuese dhe ristrukturuese që duhet të ndërmarrin.
Kundërshtarët e kësaj ideje mendojnë që Eurozona i ka në dispozicion të gjitha mjetet për të shtrënguar llogaridhënien e vendeve dhe për t`i detyruar ato t'i përmbahen kritereve financiare të Maastricht-it. Weber deklaroi se ai do të përkrahte çdo iniciativë për t`i bërë më eficiente rregullat e vendosura. Ata argumentojnë gjithashtu se ekzistojnë disa mekanizma, të cilat mund të startojnë nëse një vend i caktuar nuk u përmbahet kritereve financiare. Një mekanizëm i mundshëm do të ishte përjashtimi i vendit nga përfitimi prej "Fondeve Strukturore" dhe atyre të "Kohezionit". Këto fonde janë dhe do të jenë një instrument shumë i rëndësishëm financiar i Brukselit për të eliminuar diferencën e dukshme në standardin e jetesës midis vendeve të Eurozonës. Greqia, Italia, Spanja dhe Portugalia gjatë 20 viteve të fundit, e më pas vendet e Evropës Qendrore, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtyre fondeve, të cilat janë investuar përgjithësisht në infrastrukturë dhe agrikulturë. Gjithashtu, një instrument tjetër do të ishte edhe mekanizmi zhvlerësues për asetet kombëtare nga ana e Bankës Qendrore Evropiane, për sa i përket klasifikimit financiar të kreditit të tyre. Kjo do të detyronte vendet, për të qenë shumë të kujdesshëm në politikat fiskale e makroekonimike të tyre.
Përfundimisht, pavarësisht vendimeve që do të merren, "merita" e vetme e krizës greke ishte se nxori qartazi në pah hallkat jo funksionale të BE-së, duke hapur debatin ndoshta më të rëndësishëm ndonjëherë mbi përmirësimin e funksionalitetit të institucioneve të BE-së, mbi reformat e mundshme dhe objektivat për t'u arritur, jo pak, por 17 vjet pas themelimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›