Meta - Zbogar: “Shqipëria, pa viza brenda 2010-ës”
Autori i Lajmit: Redaksia
Kreu i diplomacisë sllovene, Samuel Zbogar ka shprehur mbështetjen dhe garancinë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti. “Shqipëria do të jetë pa viza në Bashkimin Evropian brenda vitit 2010”, - ka thënë ministri Zbogar. Deklarata e tij është bërë gjatë takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, gjatë një vizite zyrtare që, Meta po zhvillon në Slloveni. Meta ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ka shprehur “mirënjohje për mbështetjen e Sllovenisë”. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka deklaruar gjatë takimit me homologun e tij slloven, Samuel Zbogar, se “Shqipëria ka potenciale të mëdha për investime sllovene”. Kreu i diplomacisë shqiptare ka vlerësuar dhe rolin që kanë dy vendet në Ballkan. “Shqipëria dhe Sllovenia janë faktorë të stabilitetit në Ballkan”,- ka thënë Meta. Gjithashtu, ai ka vlerësuar dhe hapjen e ambasadave respektive në kryeqytetet e dy vendeve si një hap që do të intensifikojë më tej marrëdhëniet. Ministri slloven, Zbogar, ka vlerësuar rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Ai është shprehur se Shqipëria dhe Sllovenia kanë marrëdhënie të shkëlqyera, duke konfirmuar dhe hapjen e ambasadës sllovene në Tiranë së shpejti. Gjithashtu, ai ka theksuar se është e nevojshme që dy vendet të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik
Ky lajm është publikuar: 13/02/2010