Meta: 6 marsi, afati i fundit kushtetues për opozitën

Zv/kryeministri dhe njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta shprehet se opozita duhet të respektojë afatet kushtetuese për thyerjen e bojkotit, pasi në të kundërt do të zbatohet ligji për mandatet, çka do të thotë zëvendësim të deputetëve aktualë të PS. Meta bëri këtë deklaratë përmes një konference për shtyp, menjëherë pas kthimit nga Sllovenia, ku zhvilloi një vizitë zyrtare disa ditore. Ministri i Jashtëm tha se mbështet tryezën e Presidentit për vendosjen e një dialogu mazhorancë-opozitë, por hodhi poshtë mundësinë e hapjes së kutive të votimit. Numri dy i qeverisë u shpreh optimist për zgjidhjen e ngërçit politik, që sikundër tha ai, nuk duhet të jetë aspak në shkelje të dispozitave kushtetuese dhe vendimeve të gjyqësorit. “Nuk kemi të bëjmë me çështje kutish por me një çështje që ka të bëjë me vendimin e gjykatave. çështjet e gjykatave mund të ndiqen vetëm nëpërmjet rrugëve gjyqësore. Ato i përkasin sistemit gjyqësor dhe po të duan le t’i drejtohen Prokurorisë apo Gjykatës Kushtetuese. Futja e politikës në vendimin e tyre është hap prapa. I bëj apel të gjitha palëve që të kuptojnë se nga ne ekziston i gjithë vullneti për një zgjidhje të krizës”, u shpreh ministri Meta. Ai komentoi edhe tryezën e një dite më parë të Partisë Socialiste me aleatët e saj, duke e quajtur vendimin për vazhdimin e protestave si një presion ndaj dialogut që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Presidentit. “S’mendoj se çdo gjë varet nga Presidenti. Ka tendenca për të krijuar presione madje dhe në ditën e të dashuruarve. Të gjitha palët bëjnë përpjekje për një zgjidhje sa më të pranueshme, por po u fol për ultimatum s’kemi dialog dhe përpjekjet e qëllimshme për të krijuar një situatë të tillë”, - deklaroi ministri i Jashtëm. Shefi i diplomacisë shqiptare vuri në dukje se nëse tryeza dështon dhe Partia Socialiste nuk kthehet në Kuvend, brenda 6 marsit, atëherë do të respektohet Kushtetuta për zëvendësimin e mandateve. “Në çdo rast do të respektohet Kushtetuta edhe pas 6 marsit. Por opozita të listojë pretendimet e saj”. Qëndrimet e zotit Meta vijnë pak ditë pas mbledhjes së tryezës për vendosjen e dialogut mazhorancë-opozitë nga kreu i shtetit dhe gjetjen e modaliteteve politike që do të bëjnë të mundur rikthimin e socialistëve në institucionin e Parlamentit. Një rekomandim ky i artikuluar me forcë edhe nga faktori ndërkombëtar dhe veçanërisht nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në rezolutën më të fundit për Shqipërinë.
...