Analiza e buxhetit, Bode: Pavarësisht efekteve të krizës, të ardhurat u rritën me 2.4%, 32% krahasuar me 2006-ën

Ministri i Financave Ridvan Bode prezantoi sot analizën e të ardhurave të konsoliduara në buxhet për vitin 2009. Bode u shpreh se ka një realizim të parashikimit të të ardhurave, pavarësisht efekteve të krizës financiare globale. Ai theksoi se krahasuar me vitin 2008, ka një rritje të të ardhurave në buxhet me rreth 2.4%, ndërsa krahasuar me vitin 2006, ka një rritje prej më shumë se 30%. “Të ardhurat në buxhetin e konsoliduar për vitin 2009 janë 298.3 miliardë lekë ose 21.6 miliardë më shumë se parashikimi për këtë periudhë. Krahasuar me vitin 2008, ka një rritje të të ardhurave totale me rreth 2.4% dhe një rritje prej 30% krahasuar me vitin 2006. Të ardhurat tatimore u realizuan në masën 270,6 miliard lek, dhe me një rritje prej 2.3% krahasuar me vitin 2008 dhe 31.7% krahasuar me vitin 2006”, - u shpreh Bode. Ai vuri në dukje se të gjithë sektorët e administrimit ekonomik në vend, ka korrur sukses në vjeljen e taksave dhe detyrimeve. “Të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë 208.6 miliardë lekë, 10.7 miliardë më pak se parashikimi dhe 1.6 përqind me shumë se në vitin 2008 dhe 31.4% më shumë se në vitin 2006; të ardhurat nga taksat vendore janë 12.1 miliardë, 6.2 miliardë më pak se parashikimi dhe 7.4 përqind më të larta se një vit më parë; të ardhurat në buxhetet e pavarura janë 49.8 miliardë, 391 milion më pak se parashikimi dhe 4.1 përqind me shumë se në vitin 2008; të ardhurat jo tatimore arritën në 24.5 miliardë, me një mosrealizim prej 900 milion lek ndaj një viti më parë prej 3 përqind më pak; të ardhurat nga ndihmat janë 3 miliardë lekë, 3.2 milardë më pak se parashikimi dhe 27 përqind më pak se një vit më parë”, nënvizoi ministri i Financave.
...