Meta: Afrim me Serbinë, Kosova mbetet prioritet derisa të ulet në OKB
"çështja e Pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prioritet i Qeverisë shqiptare, deri sa Kosova të ulet në vendin që i takon në OKB". Kështu deklaroi zv.kryem-inistri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në konferencën e djeshme për shtyp me gazetarët në lidhje me komentet se përqasja e Tiranës ndaj Beogradit do e zbehë politikën për njohjen e shtetit të Kosovës. "Për këtë ka një politikë të qartë dhe ka një vijimësi të padiskutueshme. Për sa i takon raportit të Shqipërisë me Serbinë, nuk shtrohet çështja se Shqipëria kërkon të vendosë një prioritet të jashtëzakonshëm në këto raporte, por duhet të kemi parasysh se politika e Shqipërisë, është politika e bashkëpunimit rajonal, është politika e integrimit rajonal, si parakusht për integrimin evropian. Në rastin e vendeve të tjera të Ballkanit, marrëdhëniet e Shqipërisë me këto vende janë të shkëlqyera"-tha Meta. Për kryediplomatin shqiptar "që të gjithë janë të ndërgjegjshëm se marrëdhëniet e mira me Serbinë do të kishin një impakt shumë pozitiv në përgjithësi për klimën e paqes, të prosperitetit dhe të bashkëjetesës në rajonin tonë," theksoi Meta. Ministri i Jashtëm ka reaguar dhe me deklaratën e Fuat Dinoshës, Ministrit shqiptar të Pakicave të Malit të Zi. "Jemi takuar me përfaqësues të forcave politike shqiptare atje, dhe vazhdimisht në axhendën e bashkëpunimit të Shqipërisë me Malin e Zi, janë jo vetëm takimet me përfaqësues shqiptarë, por edhe angazhim për çështjet që i preokupojnë. Ata kanë pasur dhe do të kenë mbështetjen e Shqipërisë", tha Meta. Kryediplomati theksoi se "Përpjekja për të keqkuptuar një politikë kaq largpamëse dhe kurajoze është thjesht një ftesë për të hyrë në një debat folklorik, dhe ju e dini që nuk më pëlqejnë folklorizmat, aq më tepër në politikë".