Policia plan “supermasash” për festat në Tiranë
TIRANE – Policia e Tiranës deklaroi se duke filluar nga dita e djeshme ka filluar zbatimi i planit të posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë gjatë festës së ndërrimit të viteve. Drejtoria e Policisë së Tiranës, u bëri thirrje qytetareve që natën e ndërrimit të viteve të jenë të kujdesshëm me përdorimin e fishekzjarrëve dhe të shmangin pijet alkoolike veçanërisht nga drejtuesit e mjeteve me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale me rrezik për jetën. Policia deklaroi se për ata drejtues që do të konstatohen se kanë konsumuar pije alkoolike, janë parashikuar masa ekstreme nga policia, duke marrë shkas edhe nga aksidenti i dy ditëve me parë, ku humbën jetën në qendër të Tiranës 3 persona dhe u plagosën 4 të tjerë. Në një konferencë për shtyp, dje, policia publikoi masat e marra nga strukturat e rendit në kryeqytet për mbrëmjen e 31 dhjetorit, në drejtim të parandalimit të ngjarjeve kriminale apo ngjarjeve të tjera që cenojnë rendin dhe qetësinë publike. Policia tha se ka organizuar shërbimet e saj për përballimin e fluksit të emigrantëve që kanë ardhur dhe priten të vijnë në atdhe për festat. Përveç atyre emigrantëve që janë me dokumente të rregullta dhe jetojnë e punojnë në vendet fqinjë, ka edhe nga ata që janë të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, për vepra të ndryshme penale. Për këtë arsye policia pritet që të përforcojë kontrollet në aeroport dhe në pikat tjera të kalimit kufitar. Duke qenë se personat që kanë tendencë kryerjen e veprave të ndryshme penale “shfrytëzojnë” rastet e festave, policia do të jetë në gatishmëri për të parandaluar, zbuluar dhe goditur aktivitetin kriminal në këtë drejtim. Sipas deklaratës së bërë dje nga policia, do të merren masat e nevojshme për përshpejtimin e procedurave në Aeroportin e Rinasit, sigurimin e rendit veçanërisht në Qendrat Tregtare, Bulevardet dhe Sheshet kryesore të kryeqytetit. Po kështu do të jenë në vëmendje të veçantë të policisë sigurimi i nënstacioneve elektrike, depove të ujit të pijshëm, etj. Edhe sigurimi i Ambasadave e rezidencave të tyre, si dhe objektet e tjera të rëndësisë së veçantë do të jenë prioritet i Policisë së Tiranës. Në drejtim të aksidenteve dhe trafikut rrugor policia tha se do të rritet prezenca e efektivave të saj në rrugë. Më tej policia do të shtojë bashkëpunimin me shërbimet spitalore dhe me emergjencat ndërsa ftoi qytetarët të lajmërojnë për çdo rast në sallën operative në numrin 129. Tradita e festimit të ndërrimit të viteve me fishekzjarrë dhe me konsumimin e pijeve alkoolike si dhe shtimi i trafikut rrugor dhe aksidenteve në fundviti, janë shkaqet kryesore që kanë detyruar policinë të vendosë në zbatim një plan të posaçëm masash. e.dMakina godet 28-vjeçaren, pranga shoferitTIRANE - Një vajzë 28-vjeçare është plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kome në reanimacionin e Spitalit Ushtarak në Tiranë, pas përplasjes nga një makinë tek sheshi “Rilindja”. Ndërsa policia pak orë pas aksidentit ka arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit, drejtuesin e mjetit që ka shkaktuar aksidentin, 33-vjeçarin Blerim Hoxha. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrugën e Durrësit vetëm disa metra poshtë sheshit “Rilindja”, në drejtim të Doganës së Tiranës. Vajza 28-vjeçare Anita Elezi, e cila ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës, është përplasur nga automjeti tip “Benz” me targë TR 5690 S, që drejtohej Blerim Hoxha. E aksidentuara u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku iu dha ndihma e parë mjekësore dhe ku ndodhet ende në gjendje kritike për jetën. Ndërsa ekspertët e hetimit të aksidenteve automobilistike, konkluduan se drejtuesi i mjetit, Hoxha ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe drejtonte mjetin tej normave të lejuara. Në këtë mënyrë u pa e arsyeshme që të merrej ndaj tij masa e arrestit në flagrancë dhe materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme. e.d