Qeveria zhvendoset në Shkodër, Berisha kërkon projekte për rehabilitimin e zonës
Për herë të parë Këshilli i Ministrave ndryshon zyrë. Berisha urdhëron ministrat të hartojnë plane rehabilitimi
Eljona Ballhysa
Për herë të parë Këshilli i Ministrave ka ndryshuar zyrë duke zhvilluar një mbledhje të pazakontë në qytetin e Shkodrës, që ndodhet në një situatë emergjente për shkak të përmbytjeve. Anëtarët e kabinetit qeveritar, nën drejtimin e kryeministrit Berisha, janë vendosur dje në ambientet e Bashkisë së Shkodrës, ku kanë zhvilluar mbledhjen e radhës së qeverisë dhe tema kryesore ka qenë pikërisht përmbytja, masat e marra nga qeveria në ndihmë të banorëve, si dhe projektet për rehabilitimin sa më parë të zonës në të ardhmen. Pikërisht në këtë pikë e ka përqendruar theksin kreu i Ekzekutivit gjatë fjalës së mbajtur. Berisha kërkoi nga secila ministri hartimin e projekteve dhe planeve për postemergjencën, në mënyrë që të realizohet në një kohë sa më të shkurtër rehabilitimi i plotë i zonës. “Të mos harrojmë se kjo zonë nuk është shkretëtirë, por një nga zonat më pjellore, më të pasura të tokës shqiptare, prandaj ka një rëndësi të jashtëzakonshme rehabilitimi tërësor i saj, infrastruktura, shkollat, qendrat shëndetësore, rrugët, kanalizimet dhe çdo gjë”, - është shprehur Berisha. Kryeministri shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë të qeverisë dhe të mbarë shqiptarëve ndaj qytetarëve të këtij qyteti dhe rrethi, të cilët, në mënyrën më të përsëritur, dëshmuan para Shqipërisë, kombit dhe botës shpirtin e tyre të pamposhtur. Kryeministri falënderoi me mirënjohje të gjitha hallkat e angazhuara në këtë operacion të rëndësishëm si pjesëtarët e Forcave të Armatosura shqiptare, por edhe të huaja, punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e KESH-it, të gjithë zyrtarët dhe drejtuesit vendorë, ministrat, deputetët, për punën e tyre të palodhur dhe përkushtimin në situatën emergjente.
Detyrat
Duke e cilësuar përballimin me sukses të situatës emergjente, kryeministri Berisha theksoi se operacioni në ndihmë të banorëve të këtyre zonave do të vazhdojë deri në rehabilitimin e plotë të saj. Gjatë fjalës së tij Berisha renditi disa detyra për ministrat, duke kërkuar fillimisht thellimin e shtratit të Bunës dhe ndërtimin e argjinaturave për lumenjtë. “Zoti Olldashi, është e domosdoshme që në kohën më të shpejtë të shpallet tenderi ndërkombëtar për thellimin e Bunës dhe shndërrimin e saj në një lumë të lundrueshëm, siç ka qenë një shekull më parë, vepër kjo që nga njëra anë do të mbrojë Shkodrën nga moti i papërshtatshëm, por, nga ana tjetër, do të krijojë edhe mundësinë e një prej udhëtimeve turistike më të bukura”, - është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se do të ndërtohen edhe ura. “Ura është me hapje dhe fatmirësisht ajo u projektua e tillë. Ura tjetër që do të ndërtohet për të lidhur Shëngjinin me Ulqinin, edhe ajo do të jetë me hapje, por dua të garantoj qytetarët e Shkodrës se thellimi i Bunës, sistemimi i saj do të jetë një nga projektet më të bukura dhe më mahnitëse të vendit”, - është shprehur Berisha, ndërsa kërkoi rishikimin e projektit për ndërtimin e rrethrrotullimit të Shkodrës. “Po në këtë kontekst, zoti ministër, unë e di se ka mbaruar projekti i by pass-it të Shkodrës, ose është në përfundim e sipër, por kjo përmbytje kërkon që ky projekt të rishikohet, i cili të jetë nga njëra anë by pass dhe nga ana tjetër argjinaturë e fuqishme e të gjithë zonës së bregut të liqenit. Është i kushtueshëm, por i domosdoshëm”, - është shprehur Berisha, ndërsa kërkoi gjithashtu edhe ndërtimin e argjinaturave të lumenjve.
Katastrofa
Gjatë fjalës së tij Berisha e cilësoi edhe njëherë këtë situatë një fatkeqësi natyrore që ndodh një herë në 100 vjet. “Edhe njëherë dua t’u rikthehem përmasave të motit, të cilin të gjithë observatorët me seriozë të vëzhgimit të motit dhe përmbytjeve, cilësuan si shkak reshjet e mëdha, cilësuan si intensitet atë të shkallës së dytë që përsëritet më rrallë se 1 herë në 100 vjet”, - është shprehur Berisha, ndërsa i cilësoi trillime deklaratat dhe akuzat e përfaqësuesve të opozitës. “Ata që duan t’i servirin Shkodrës trillime dhe mashtrime, duhet ta dinë se qyteti ka një epitet për ta, “sherr budall”. Ata që bëjnë ‘sherr budallën’ duke i thënë Shkodrës se qeveria e rezervoi ujin për ta shitur me çmim më të shtrenjtë në janar, ata bëjnë vetëm sherr budallën. As simitet e tyre nuk i ha Shkodra. I pamë një ditë që kishin mbushur një çantë me simite dhe i shpërndanin, por qytetarët nuk i merrnin”, - është shprehur Berisha, duke ironizuar masat e marra nga PS-ja në ndihmë të banorëve në nevojë.
Gjatë ditës së djeshme Berisha ka vizituar edhe bazën ushtarake të Gjadrit, ku është vendosur dhe baza operacionale për shpërndarjen e ndihmave, për të përshëndetur dhe falënderuar personalisht ushtarët dhe oficerët.
14 Janar 2010