E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjohet Prokuroria, pas 12 ditësh nis hetimet për përmbytjet

Albert Gjoka

SHKODËR - Pas 12 ditësh përmbytje, vetëm dje Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet për përmbytjet e shkaktuara në qarkun e Shkodrës. Ndonëse opozita i kërkoi organit të akuzës që të fillojë procedurat për këtë katastrofë, duke nisur me administrimin e provave shkresore, zyrtarisht, dita e mërkurë shënoi hapjen e një dosjeje të re për Prokurorinë e Përgjithshme, të cilën e ka marrë nën administrim Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, megjithëse përmasat e dëmit janë të jashtëzakonshme. Burime zyrtare bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme ekspertët e organit të akuzës në qytetin verior kanë marrë gjithë dokumentacionin që ndodhet në dispeçerinë e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, aty ku janë bërë shkarkimet e portave që nga data 2 janar e këtij viti. Sipas të dhënave paraprake, nuk flitet ende për gjetjen e elementeve të veprës penale, por prokurorët po verifikojnë gjithë procedurat dhe dokumentacionin për të parë nëse ka shkelje të ligjit dhe rregulloreve.

Hetimi
Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në zyrat e Korporatës Energjetike Shqiptare (KESH) dhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës kanë zbarkuar ekspertët e Prokurorisë së Shkodrës. Ata kanë kërkuar nga drejtuesit e institucioneve të sektorit të Energjetikës të gjithë dokumentacionin me të cilin janë kryer veprimet për shkarkimet nëpër hidrocentralet e vendit. Sipas burimeve, procedura e verifikimit ka nisur që më 15 dhjetor deri në ditët e para të janarit, kohë kur u shënuan edhe përmbytjet e para në ultësirën e Nën-Shkodrës. Prokurorët kanë marrë në administrim rregulloren e digave, grafikët e prurjeve dhe shkarkimeve, si dhe dokumente të tjera që kanë të bëjnë me punën e përditshme në HEC-et që ndodhen në kaskadën e Drinit. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme nuk kanë bërë asnjë koment, ndërsa është bërë e ditur se së shpejti do të ketë një qëndrim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në qarkun verior. Ndërsa nga Prokuroria e Shkodrës mësohet se po verifikohet nëse në përmbytjet e ndodhura ka elemente të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkatërrimit të pronës me dashje”. Në këtë fazë do të mblidhet dokumentacioni dhe më pas do të dilet në një përfundim nëse ka konsumim të veprës penale nga drejtuesit e KESH-it dhe institucioneve prej nga varen ato. Po ashtu, pjesë e procedurës së verifikimit do të jenë edhe strukturat drejtuese të KESH-it dhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës. Në varësi të procesit do të merren dokumente dhe urdhra nga strukturat më të larta që menaxhojnë industrinë energjetike në vend.

Apeli i opozitës
Vetëm disa orë pas përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, kryetari i Partisë Socialiste kërkoi menjëherë nga Prokuroria që të nisë hetimet për shkaqet që sollën katastrofën. Madje, zoti Rama kërkoi që të merreshin nga organi i akuzës në administrim të gjitha dokumentacionet, urdhrat dhe procesverbalet, të cilat kanë të bëjnë me menaxhimin e burimeve hidrike në kaskadën e Drinit, me kuotat e prurjeve dhe shkarkimeve, si dhe me procedurat e importit dhe eksportit të energjisë gjatë muajit dhjetor dhe në vazhdim. Po ashtu, në epiqendër të të gjitha debateve mes ekspertëve, drejtuesve të institucioneve dhe politikanësh ishte edhe rregullorja për hapjen e digave dhe funksionimi i Komisionit të Posaçëm. PS-ja dhe shumë prej specialistëve akuzuan Ministrinë e Energjetikës se nuk ka funksionuar duke u mbështetur te rregullorja, sipas së cilës, në periudhën tetor-shkurt, niveli i ujit në liqenin e Fierzës nuk duhet të kalojë kuotat e 285 metrave absolute (286 metra relative). Por, i menjëhershëm qe edhe reagimi i ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ai iu përgjigj këtyre deklaratave duke thënë se Komiteti i Posaçëm është mbledhur që më datë 8 nëntor të vitit të kaluar. Një tjetër pikë që ka ngjallur reagime është edhe fakti se kur u hapën portat e HEC-ve dhe kush e urdhëroi një gjë të tillë. Zyrtarisht, kreu i KESH-it, Muharrem Stojku, u shpreh se ka urdhëruar hapjen e Vaut të Dejës që më 27 dhjetor, ndërsa drejtues të tjerë të KESH-it kanë dhënë datë tjetër.
Nisja e hetimeve dhe zbardhja e plotë e procedurave të menaxhimit të digave dhe shkarkimeve të ujit prej tyre nga Prokuroria do t’u japë fund shumë hamendësimeve dhe akuzave mes palëve dhe mund të sqarojë edhe detajet nëse përmbytjet në Shkodër u shkaktuan nga keqmenaxhimi i situatës, apo nga shkaqe natyrore.
Tashmë Prokuroria e Përgjithshme mund të ketë edhe një tjetër dosje të madhe në dorë, e cila, për nga pasojat dhe pesha që ka, mund të krahasohet me dosjen “Durrës-Kukës”, çështjen “Fazlliç”, apo tragjedinë e Gërdecit.

DOSJET E MËDHA TË PROKURORISË

Dosja për procedurat e tenderimit të rrugës Durrës-Kukës (mbyllur)

Dosja për hetimin e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç (mbyllur)

Dosja për hetimin e shkaqeve të tragjedisë së Gërdecit (vazhdon)

Rritet bilanci i përmbytjeve në Shkodër

SHKODËR – Gjatë ditës së djeshme është rritur ndjeshëm bilanci i përmbytjeve, ndonëse ka pasur përmirësime të ndjeshme të kushteve atmosferike. Brenda 24 orësh është zgjeruar harta e zonave nën ujë me të paktën 150 shtëpi të tjera dhe 1000 hektarë tonë në zonat përreth qytetit të Shkodrës. Burimet zyrtare të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile raportuan dje pasdite se sipërfaqet e tokës së përmbytur kanë arritur në 11 400 hektarë, ndërsa numri i shtëpive nën ujë ka shkuar në 2649. Po ashtu, kryeministri Berisha ripërsëriti apelin për banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, inspekton kryerjen e operacioneve në Dajç dhe Velipojë, ndërsa ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, inspekton Bushatin. Po ashtu, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, bëri inspektime në komunën Gur i Zi. Tashmë sfida kryesore për shtabet e emergjencave është ulja e nivelit të ujit në zonat e banuara dhe shkarkimi i tij në det. Për këtë arsye po punohet me argjinaturat dhe shtretërit e lumenjve. Autoritetet e KESH-it raportuan dje një ulje të ndjeshme të shkarkimeve nga portat e hidrocentraleve. Nga diga e Vaut të Dejës derdhej një sasi prej 730 metrash kub për sekondë, ndërsa në Shkopet dhe Ulëz është ulur thuajse në zero derdhja e ujit. Ndonëse kanë kaluar 13 ditë nga përmbytjet në zonën e Shkodrës, ende është një situatë emergjence atje, pasi niveli i ujit në zonat e banuara është shumë i lartë, duke bërë të pamundur rikthimin e banorëve pranë shtëpive dhe pronave të tyre.

STATISTIKA

Toka nën ujë Banesa nën ujë
E mërkurë, (datë 13 dhjetor) ora 17:00
11 400 ha 2649 shtëpi
E martë (datë 12 dhjetor) ora 22:00
10 400 ha 2499 shtëpi
E hënë (datë 11 dhjetor) ora 22:00
10 400 ha 2499 shtëpi
E diel (datë 10 dhjetor) ora 22:00
10 400 ha 2499 shtëpi
E shtunë (datë 9 dhjetor) Ora 18:00
10 000 ha 2405 shtëpi
E premte (datë 8 dhjetor) ora 22:00
10 100 ha 2205 shtëpi
E enjte (datë 7 dhjetor) ora 19:00
9150 ha 2080 shtëpi
E mërkurë (datë 6 dhjetor) ora 19:00
4816 ha tokë 870 shtëpi

14 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›