Përgjegjësia për përmbytjet, opozita kërkon dorëheqjen e ministrit Prifti
Ervin KOÇI
Shkaktarët e vërtetë për përmbytjet e javëve të fundit në Shkodër dhe Lezhë duket se do të mbeten sërish anonimë, kjo për faktin se asnjë nga palët nuk e pranon përgjegjësinë. Në një deklaratë për mediat, ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, i është përgjigjur kërkesës së vazhdueshme të PS-së për të dhënë dorëheqjen pas përmbytjeve në Shkodër. Sipas Priftit, të vetmit që mund t’i kërkojnë dorëheqjen janë kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, të cilët, sipas tij, e kanë falënderuar për punën e bërë. “Të drejtë ligjore e të drejtë morale për të kërkuar dorëheqjen time në detyrë kanë vetëm dy persona; njëri quhet Sali Berisha dhe është kryeministri i vendit, dhe vetëm ai ka të drejtën ligjore dhe morale të gjykojë punën time se si e kam bërë dhe të kërkojë pastaj dorëheqjen, apo të më falënderojë për punën, siç më ka falënderuar. Personi i dytë quhet Ilir Meta”, - deklaroi Prifti. Gjatë reagimit të tij, Prifti e ftoi publikisht kreun e opozitës, Edi Rama, të zgjidhte një person nga kabineti i tij dhe së bashku në një debat televiziv të flisnin për gjithçka ka ndodhur, në të kundërt ai duhet të heshtte dhe të mos shpifte. “Zoti Rama zgjidh njeriun më të mirë që ke në stafin tënd dhe unë e ftoj të dalë me mua në debat publik; zgjidhni televizionin, studion dhe moderatorin dhe t’u tregojmë të gjithë shqiptarëve se si kemi vepruar, se kush është e vërteta për përmbytjet në Shkodër. Në qoftë se nuk ke guximin të vësh përpara meje njeriun tënd më të mirë që të bëjë transparencë përpara të gjithë shqiptarëve, atëherë pusho! Mos shpif! Mos trillo!” - përfundon Prifti.
Situata
Të dhënat më të fundit në kaskadën e Drinit tregojnë se niveli i Fierzës ka arritur në kuotën e 290.26 metrave, me një rënie prej 14 cm, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i saj. Të raportuara nga Ministria e Energjetikës në kuadrin e publikimit periodik të situatës në kaskadat e hidrocentraleve kryesore në vend, ato tregojnë se shënohet një ulje e nivelit të ujit në to. Ato tregojnë gjithashtu se prurjet në Fierzë llogariten 430 metra kub për sekondë, ndërsa derdhjet janë në nivelin 600 metra kub në sekondë. Ndërsa për Hidrocentralin e Komanit, METE njofton se aktualisht ai ndodhet në kuotën e 170.27 metrave. Prurjet në Koman raportohet të jenë 200 metra kub për sekondë, ndërsa derdhjet e ujit 700 metra kub për sekondë. Po nga të dhënat zyrtare mësohet se në Vaun e Dejës niveli është 74.20 metra, nga 76 metra që është maksimumi i lejuar. Kurse prurjet në Vaun e Dejës llogariten në 140 metra kub për sekondë dhe derdhjet janë 950 metra kub për sekondë. Ministria e Ekonomisë ka njoftuar, ndër të tjera, se KESH-i ka ulur ndjeshëm shkarkimet në kaskadë.
Shitja e energjisë
Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku, njofton se është shpallur tender për shitjen e energjisë. Sipas tij, deri tani kanë aplikuar dy kompani serbe dhe dy italiane, ndërsa në tenderin për shitjen e energjisë pritet të marrë pjesë edhe OSSH-ja. Drejtori i KESH-it shprehet mjaft i kënaqur për rezultatet e tenderimit të eksportit për janarin. “Kemi arritur marrëveshje për të shitur energji me 45-50 euro për megavat/orë (1 mijë kilovat/orë)”, - vë në dukje ai. Ky është një lajm shumë i mirë për financat e kompanisë publike, të cilat prej vitesh kanë qenë kryesisht të varura nga importi dhe kreditë. Shifrat janë optimiste edhe përsa i përket sasisë së kontraktuar për eksport. Nga mesnata e datës 12 janar, duke u gdhirë 13 janari 2010, KESH-i do të shesë një sasi ditore prej 10.4 milionë kilovat/orësh, që sipas çmimit mesatar të bërë të njohur nga Stojku, do të thotë 500 mijë euro të ardhura për 24 orë. Stojku njoftoi se nuk ka pasur importim energjie nga Kosova.
14 Janar 2010