E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, LSI bashkon votat me PS



DURRES – LSI-ja bashkon votat me PS-në në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak në Durrës. Procesi i votimit për emërimin e një mjeku pranë Shërbimit Komunal ka qenë surprizë për rrjedhën e mbledhjes së djeshme. Pesë anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë votuar pro emrit të mjekut, duke dalë kundër këshilltarëve të djathtë. Ndonëse në parim u bë emërimi i tij, ligjërisht nuk u bë miratimi i këtij vendim, për shkak të situatës së acaruar që përshkoi mbledhjen e djeshme. Në rend të ditës ishin të përcaktuara për t’u shqyrtuar dje 21 pika, por debatet kanë nisur në pikën 9, pikërisht në fazën e caktimit të mjekut në Shërbimin Komunal, i cili ndodhet në varësi të bashkisë. 16 këshilltarëve të PS-së u janë bashkuar votat e 5 kolegëve të LSI-së, duke përbërë shumicën karshi anëtarëve të djathtë të Këshillit Bashkiak, një pjesë e të cilëve mungonin në mbledhje. Pikërisht për shkak të shifrave dhe numërimit që u bëhej pjesëmarrësve ka nisur dhe sherri mes këshilltarëve. I nxehur është treguar dhe kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili me fjalë e gjeste i ka kërkuar kreut të Këshillit, Zamir Ramadani dhe sekretares së Këshillit, Meliha Maloku që ta quanin të votuar këtë pikë, pasi jo vetëm u krijua shumica, por dhe se 2 këshilltarë të majtë kishin qenë në mbledhje, por që kishin lëvizur pa u vënë në votim ky projekt-vendim. Pas rinumërimit të radhës, këshilltarët e djathtë kërkuan pushim, duke dalë nga mbledhja. Kreu i këshilltarëve demokratë, Seit Kërtusha, deklaroi pas këtij veprimi se u vendos tërheqja nga mbledhja në kushtet e një nervozizmi të tepërt të kryebashkiakut Dako, çka e bën të pamundur zhvillimin e mbledhjes. Në lidhje me situatën e krijuar në Këshillin Bashkiak, këshilltarët e LSI-së u shprehën se vendimi për të votuar pro ka qenë marrë unanim, duke u treguar qartë në mbledhje. Si pasojë e ngjarjes së djeshme mbetën pa u diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme, ndër të cilat dhe problemi i strehimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›