Meta: Asnjë aleancë me PS-në

Disa ditë pas mbylljes së grevës së urisë së 10 deputetëve, Meta u është rikthyer bashkëbisedimeve në bazën e partisë. Pas një komenti të shkurtër për zhvillimet e fundit politike në vend, Meta nuk nguroi të pohojë se shkarkimi i kreut të Këshillit Bashkiak të Elbasanit, që është njëkohësisht edhe kreu i LSI-së për këtë qark, mbetet thjesht politik dhe si rezultat i marrëveshjeve të nëndheshme mes PD e PS, edhe për pushtetin vendor.
Sipas kreut të LSI-së, strategjia e kësaj partie mbetet fitorja e zgjedhjeve të ardhshme. "Jemi ne që mund t‘i bëjmë thirrje Ramës të bashkohet me ne dhe jo ai neve", deklaroi Meta.
“Opozita e Ramës duket teatrale, përderisa bën sa "ujkun", aq dhe "qengjin" në raport me Partinë Demokratike, për të mos thënë që këto dy forca politike, në mjaft pika interesi janë të bashkuara", deklaroi ish-kryeministri Ilir Meta. Sipas tij, në këto 18 vjet demokraci, aleancat e dukshme apo të padukshme mes dy forcave të mëdha kanë dëmtuar rëndë zgjedhjet në vendin tonë, gjë që, në vlerësimin e Metës, të jep të kuptosh se edhe ai vetë mund të ishte pjesë e këtyre "marrëveshjeve" kur ishte me PS-në apo dhe Kryeministër i qeverisë së saj.
LSI
Të enjten, mitingu në shesh
Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë filluar përgatitjet për mitingun e ditës së enjte në sheshin "Skënderbe".
Paraprakisht ata kanë deklaruar se pasqyrimi i kësaj proteste do të realizohet edhe nga media të ndryshme ndërkombëtare, teksa ftuan të gjithë qytetarët të protestojnë ndaj rrezikut se zgjedhjet e ardhshme mund të jenë jo të lira.
Kjo nismë e paralajmëruar do të ndiqet me protesta të tjera në të gjitha qytetet e vendit.