PS-ja mbledh Grupin Parlamentar, Rama: “Berisha, hap kutitë, ose ik bashkë me to!”
Shaban Sulçe
Në të njëjtën kohë kur kryeministri Berisha zhvillonte mbledhjen me deputetët e PD-së të qarkut të Tiranës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thërritur në një takim deputetët e Grupit Parlamentar socialist. Ky takim zhvillohej në kuadër të analizimit të situatës politike pas zhvillimit të protestës treditore të opozitës si dhe qëndrimet e mëtejshme që do të mbajë Partia Socialiste ndaj qeverisë aktuale, në kushtet e refuzimit të kërkesës së saj kryesore që ka të bëjë me hapjen e kutive të votimit. Në përfundim të takimit të deputetëve socialistë është vendosur që Partia Socialiste të ndjekë linjën e deritanishme: me bojkot dhe protesta popullore. Pas takimit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se nëse Berisha nuk hap kutitë e votimit, atëherë atij do t’i duhet të largohet bashkë me to.
Rama
Pas takimit me deputetët socialistë, Rama shprehu kënaqësinë për unanimitetin e qëndrimeve dhe mendimeve të shprehura nga deputetët e PS-së ndaj refuzimit të maxhorancës për të hapur kutitë e votimit. Kreu i PS-së i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha që të shfrytëzojë kohën e lënë nga opozita për të plotësuar kërkesat e saj. “Grupi u mblodh dhe diskutoi në një kohezion të plotë e me një vendosmëri më të madhe se asnjëherë për të vazhduar të udhëheqë lëvizjen e re popullore, e cila do të shkojë duke u zgjeruar, duke përfshirë gjithë Shqipërinë me protesta të pandalshme në qoftë se Sali Berisha nuk do ta shfrytëzojë kohën që i kemi dhënë për të reflektuar në funksion të forcës së arsyes e jo të arsyes së forcës. Ndërkohë le t’i lëmë këto ditë të festave të mëdha kombëtare e fetare të kalojnë, duke uruar që njeriu që mban peng pushtetin e popullit pa i dhënë popullit të drejtën që të shohë votat nga ka dalë Parlamenti dhe qeveria, do të thërrasë arsyen në ndihmë e nuk do të ndihmojë në precipitim e ngjarjeve dhe në rëndimin e rrethanave. Ne jemi të vendosur. Ne nuk kthehemi nga rruga jonë. Unë i qëndroj me forcë në emër të atyre 100 mijë qytetarëve që erdhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, po dhe atyre miliona të tjerëve që na ndjekin, bindjes se nëse Sali Berisha nuk hap kutitë duhet të ikë së bashku me kutitë.”
Vendimet
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka konfirmuar vazhdimin e bojkotit të Kuvendit përsa kohë që kryeministri Berisha nuk do të pranojë plotësimin e kërkesës për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Gjithashtu, deputetët socialistë kanë miratuar propozimin për vazhdimin e protestave popullore. Socialistët kanë vendosur që t’u rikthehen protestave në përfundim të periudhës së festave. Deputetëve socialistë u është kërkuar që të kontribuojnë dhe të realizojnë të njëjtën mënyrë organizimi, ashtu edhe siç u veprua për protestën treditore të opozitës. Gjithashtu, deputetët socialistë kanë miratuar edhe aksionin e ri opozitar.
25 Nentor 2009