E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet, për turp

Investimet e huaja në Shqipëri janë vetëm 88 euro për frymë. Deri edhe Serbia apo Bosnja i kane me te larta.

Shqipëria renditet e fundit për fluksin e investimeve të huaja e krahasuar me vendet e Evropës Juglindore. Fluksi i investimeve të huaja për vitin 2007 llogaritet në 283 milionë euro. Kjo shifër e llogaritur sipas ekspertëve të financave shkon në vlerën e 88 eurove për frymë. Ndërkohë që rritja paraqitet në shifra mjaft modeste në krahasim me vitin 2006, ku investimet e huaja për frymë kanë qenë rreth 83 euro. I gjithë fluksi i investimeve të huaja (IHD) për vitin 2006 llogariten në 258 milionë euro. Por këto investime janë shumë herë më të ulëta sesa në vendet e rajonit. Duke iu referuar statistikave të vendeve të Evropës Juglindore, mësohet se investimet e huaja për frymë janë shumë herë më të larta se në vendin thonë. Po ashtu, për vendin tonë investimet e huaja zënë rreth 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në vendet e rajonit ato zënë rreth 16 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Konkretisht, duke iu referuar shifrave të rajonit, në Rumani investimet për frymë janë 286 euro. Po ashtu, në nivele të larta investimet e huaja paraqiten edhe në shtetin fqinj, Kroaci, me rreth 384 euro për frymë. Në Serbi, investimet e huaja shkojnë në 148 euro për frymë. Kurse në Bosnjë-Hercegovinë investimet e huaja llogariten në 90 euro për frymë. Por ashtu dhe siç është theksuar në mjaft raporte të institucioneve të huaja apo dhe atyre shtetërore, niveli i ulët i investimeve të huaja në vend vjen si rezultat i problemeve. Fillimisht problemet e pronësisë gjithmonë kanë alarmuar investitorët e huaj. Të tjerë elemente janë edhe mungesa e energjisë elektrike dhe e infrastrukturës. Gjithashtu edhe mjaft forume ekonomike që janë zhvilluar për thithjen e investimeve të huaja, këta të fundit kanë demonstruar hapur problemet e vendit, të cilët pengojnë në ardhjen e tyre. Por përveç kësaj, administrata shqiptare vazhdon të paraqesë probleme në kryerjen e investimeve të huaja. Kjo vërtetohet edhe nga niveli i ulët i realizimit të tyre. Ky shqetësim është ngritur edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka kërkuar me urgjencë përmirësimin e ligjit për investimet e huaja. Për sa i përket shtrirjes gjeografike të investimeve të huaja, konstatohet se kapitalet e huaja më shumë janë të përqendruara në prefekturat e Tiranës dhe Durrësit. Pavarësisht se rritja e fluksit të kapitaleve të huaja përkthehet në më shumë vende pune, Banka e Shqipërisë ngre shqetësimin për rritjen e presioneve të monedhës vendase. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, hyrjet e valutës në formën e investimeve të huaja direkte dhe dërgesave nga emigrantët mund të ndikojë në rritjen e presioneve për vlerësimin e monedhës vendase, e cila është vlerësuar rreth 3.03 për qind kundrejt shportës së monedhave që nga fillimi i vitit. Investimet e huaja: Shqipëria 88 euro për frymë Rumania 286 euro për frymë Bullgaria 301 euro për frymë Kroacia 384 euro për frymë Serbia 148 euro për frymë Bosnjë-Hercegovina 90 euro për frymë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›