Berisha përuron rrugën e Bregut Vlorë-Sarandë
Qemal Biraku
Në vijim të turit të tij elektoral, kryeministri Berisha u ndal në Vlorë, nga e cila do të dalin 12 deputetë në 28 qershor. Në mesditë kreu i ekzekutivit mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve në rrugën e Bregut, e cila shkurton ndjeshëm distancën mes Tiranës, Vlorës dhe Sarandës. Duke iu drejtuar banorëve të Dhërmiut, kryeministri Berisha tha se qeveria është e vendosur që në mandatin e dytë të krijojë në fshatrat e Bregut, standardet më të mira të mikpritjes dhe të jetesës duke i shndërruar ato në qendra të fuqishme të turizmit në Shqipëri. “Inaugurimi i kësaj rruge përbën një ngjarje madhore për të gjithë Shqipërinë në tërësi dhe për Shqipërinë turistike në veçanti. Shqipëria dhe ju të gjithë keni në brigjet e Jonit potencialin më të jashtëzakonshëm turistik në tërë rajonin, ndaj dua t’u uroj nga zemra që ju ta gëzoni këtë rrugë dhe t’u garantoj se ashtu siç bëmë këtë rrugë, brenda vitit 2010 do të bëjmë rrugën e këtyre fshatrave nga Orikumi në Sarandë”, u shpreh Berisha. Kreu i demokratëve premtoi furnizim me ujë 24 orë brenda vitit të ardhshëm për të gjithë banorët e zonës së Bregut. Më pas kryeministri inauguroi rrugën hyrëse në qytetin e Fierit dhe në mbrëmje zhvilloi mitingun përmbyllës në Vlorë, përpara zgjedhjeve të ditës së diel. Nga sheshi kryesor i qytetit Berisha theksoi se në gjithë vendin po ndihet era e fitores së PD-së. “Në mbarë Shqipërinë po vërshon i papërmbajtur uragani i fitore sonë, uragani i lirisë, uragani i fitores evropiane të vlonjatëve, të Vlorës evropiane dhe të Shqipërisë evropiane. 28 qershori po vjen. Më 28 qershor shqiptarët do të votojnë më të bashkuar se kurrë për të shndërruar në realitet ëndrrën e tyre evropiane, për të bërë që së shpejti në atë vend të shenjtë, në atë shtyllë të flamurit tonë kombëtar, krahas tij, të ngrihet flamuri i Evropës së bashku me flamurin e NATO-s”, u shpreh Berisha. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike, që të dielën të votojnë nr. 10 në fletën e votimit. Duke u ndalur në investimet për qarkun e Vlorës, kreu i ekzekutivit tha se në katër vite janë ndërtuar ose janë ende në ndërtim 150 km rrugë kombëtare e autostrada si dhe 100 km rrugë dytësore ose rurale. “Ne garantojmë çdo socialist të Vlorës, çdo qytetar të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë se ne mbajmë premtimet tona, se vota së bashku me ne është votë për integrimin evropian, është votë për pensionet dhe rrogat e larta, është votë për infrastrukturën më moderne, është votë për të veshur Vlorën nga Konispoli në Mifol me ullishtat më të bukura dhe më të mëdha”, u shpreh më tej Berisha.