E Diel, 1 Nëntor 2026

Albert Bunjaku, fabrikë golash



Albert Bunjaku është shndërruar në lojtarin më të rëndësishëm të ekipit të tij, Nürnberg, teksa kosovari shënoi një golin e barazimit të përkohshëm në fitoren 2-1 në transfertë me Hertha BSC para më shumë se 56 mijë shikuesve në “Olympiastadion” të Berlinit. Greku Theofanis Gekas realizoi golin e parë për Hertha BSC me një gjuajtje me të majtën në minutën e 36-të (asist i Cicero), ndërkohë që 26-vjeçari Bunjaku (i rikthyer pas pezullimit) barazoi në minutën e 61-të me një gol me kokë, pas ekzekutimi të goditjes nga këndi të Risse. Në minutën e 72-të, Bunjaku godit shtyllën. Sulmuesi grek i Nyrnberguet, Angelos Charisteas vulosi fitoren në minutën e 91-të pas pasit të vlefshëm të Gyndogan. Për Albert Bunjakun bëhet fjalë për golin e tij të 12-të sezonal në 21 ndeshje të aktivizuara në Bundesliga 1, dy gola më pak se bashkëkrysuesit Edin Dzeko (14), Stefan Kießling (14) dhe Kevin Kuranyi (14). Edhe një e dhënë tjetër: Bunjaku ka shënuar gjysmat e golave që ka realizuar 1. FC Nürnberg, 24 të tillë.

LALA
Hannover 96 fitoi 2-1 me Eintracht Frankfurt (e mbylli ndeshjen me 9 lojtarë) në javën e 26-të të Bundesliga 1. Ashtu siç pritej shqiptari Altin Lala (jo i rikuperuar plotësisht) e shijoi fitoren nga tribuna “VIP” e “AËD-Arena”.

HYKA
Mesfushori Jahmir Hyka vazhdoi ritualin e spektatorit në bankinë në fitoren 1-0 të Mainz 05 kundër 1. FC Köln. Golin për skaudrën e shqiptarit e shënoi André Schürrle (57’, goli i tij i katërt sezonal).

MAVRAJ
VfL Bochum i Mërgim Mavraj humbi thellësisht 1-4 në shtëpi me Borrusia Dortmund. Mavraj ishte i pezulluar për këtë takim.

Kulli: Ma punuan si Rudi Vatës

Ridvan Kulli, trajneri i ri i Besëlidhjes (pasoi të shkarkuarin Ilir Gjyla), pohoi se kishte mbetur i zhgënjyer nga votat e marra në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së, ku ai ishte në listën për anëtar të Komitetit Ekzekutiv. “Kam ngelur disi i zhgënjyer, - tha Kulli.- “Ndoshta po përsëris Rudi Vatën, kandidatin për president të FSHF-së, duke pohuar se dhe mua më kishin premtuar dyfishin e votave që mora. Besëlidhja? Nuk më shkon ndër mend që do të zbresë nga kategoria (e Parë)”.

Andi Lila: “Në verë shkoj jashtë”

Andi Lila, mbrojtësi i Tiranës dhe i Kombëtares shqiptare (6 ndeshje), mund të luajë sezonin e fundit të 24-herë kampionët e Shqipërisë. Ish-lojtari i Besës bëri një performancë dinjitoze në miqësoren kundër Irlandës së Veriut, të fituar 1-0 nga “djemtë” e Josip Kuzhesë, njëherësh edhe fitorja e 50-të e kuqezinjve në ballafaqimet ndërkombëtare. Është vetë lojtari ai që e pohon largimin nga bardheblutë. “Ende nuk kam ndonjë gjë konkrete, por oferta me fjalë kam marrë”, - tha kavajasi 24-vjeçar. Lila, i cili ndodhet në sezonin e tij të dytë te kampionët në fuqi, ka pasur një eksperiencë të shkurtër me Iraklisin e Selanikut në Greqi (janar-maj 2007).

Vllaznia heq dorë autobusi dhe 3 pikët

Lajmin e bëri të ditur vetë presidenti i klubit të “Loro Boriçit”, Valter Fushaj
Vllaznia u dha fund çështjeve të “xhamave të thyer të autobusit” dhe rastit “Mustafaj”, ku në këtë të fundit, klubi shkodran pretendonte për “tri pikë” në tavolinë pas ndeshjes Shkumbini-Vllaznia (0-0, java e 213-të). Është vetë presidenti i klubit të “Loro Boriçit”, Valter Fushaj, që përmes një komunikate për shtyp, ka bërë të ditur lajmet e mira. “Ngjarja e ndodhur me autobusin e ekipit tonë në kthim nga Peqini, nuk prish kurrsesi marrëdhëniet shumë të mira që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi me drejtuesit e Shkumbinit. Policia ka marrë masat e saj duke ndaluar edhe disa persona dhe unë do t’i bëja thirrje, gjithnjë nëse merret mendimi im, që t’i lirojë ato, qoftë edhe duke paguar ndonjë gjobë të vogël meqë janë minorenë”, - thuhet në komunikatë. “Sa i takon çështjes “Mustafaj”, është konstatuar se gjithçka ka qenë konform rregullave dhe prandaj në këto kushte, pavarësisht se klubi Vllaznia e ka dërguar çështjen në Komisionin e Disiplinës, mendoj se një çështje e tillë nuk ka nevojë të merret në shqyrtim pasi për ne është tashmë e mbyllur sepse kemi hequr dorë nga pretendimi ynë për një fitore në tavolinë”, - përfundon deklarata e presidentit të 9-herë kampioneve të Shqipërisë, vëllai i të cilit është zgjedhur në Asamblenë e “Adriatikut” në Komitetin e ri Ekzekutiv të FSHF-së.

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›