E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli akuzon kryeprokuroren

Deputetët e Kuvendit e cilësojnë si absurde kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për mospublikim të raportit të paraqitur në Kuvend si prova ndaj ish-ministrit Mediu. 

BLEDAR HOTI

Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit është mbledhur dje në drekë, pa praninë e medias, ka debatuar më tepër për shkresën e Ina Ramës, ku përcaktohej se nëse raporti bëhet publik, deputetët mund të shkonin për ndjekje penale. Një "kërcënim" i tillë është bërë prezent që në fillim të mbledhjes nga ana e kryeparlamentares Jozefina Topalli. Sipas burimeve, mësohet se kërkesa e kryeprokurores është cilësuar si absurde, për faktin se shumica e dokumenteve të paraqitura si prova ndaj ish-ministrit Mediu janë publikuar në mediat vizive dhe asaj të shkruar. Mbi tavolinën e çdo anëtari të këshillit, përveç dosjes voluminoze ekzistonte edhe një shkresë e posaçme e firmosur nga kryeprokurorja se, deputetët shkelin nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, nëse i bëjnë publike materialet e depozituara. Por pavarësisht kësaj, këshilli vendosi se në mbledhjen e ardhshme, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të japë sqarime për akuzat e ngritura ndaj tij lidhur me ngjarjen e 15 marsit në Gërdec të Vorës. Deputeti i PS-së, Besnik Dervishi pas mbledhjes deklaroi se, "ndonëse i hodhëm një sy të shpejtë materialit, në të nuk ka asgjë super të fshehtë apo super konfidenciale, pasi janë materiale që i janë bërë të njohura publikut nga media e shkruar". "Përsa i takon nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ai nuk vlen për deputetët, pasi ne zhvillojmë një aktivitet politik dhe nëse deputetët kanë imunitet e kanë pikërisht për këtë, për t'u shprehur politikisht", theksoi Dervishi.
Kontestimet e republikanëve
Republikani Arjan Madhi ka kontestuar materialin e paraqitur nga ana kryeprokurores Ina Rama, duke e cilësuar të qëllimshëm dhe tendencioze, duke pasur si qëllim të fajësojë vetëm ish-ministrin Fatmir Mediu. Madhi theksoi se, në të nuk përfshihen as urdhri i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. "Më shumë se 4/5 e materialit shoqërues përmban vetëm ligje, vendime e urdhëresa të firmosura që nga koha e ish-kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi, ish-kryetarit Servet Pëllumbi e deri në kohën e sotme. Dokumentacioni i vënë në dispozicion nga Prokuroria vetëm në një pjesë të tij përmban akte dhe dokumente që lidhen vetëm me veprimtarinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Në këtë dokumentacion nuk përfshihen akte e dokumente të strukturave të tjera të kësaj ministrie, që lidhen me procesin në hetim nga Prokuroria', shtoi Madhi. Për republikanin kjo është diçka tendencioze, pasi "pjesa tjetër e dokumentacionit të paraqitur përmban fotokopje të ligjeve dhe akteve nënligjore si dhe relacione projektligjesh e vendimesh. Këto akte, sipas vlerësimit të Prokurorisë, lidhen me veprimtarinë që po hetohet". "Bashkëlidhja e fotokopjeve të akteve ligjore dhe nënligjore me dokumentacionin tjetër vlerësojmë se nuk është e nevojshme dhe ka shërbyer si shkak të krijojë perceptimin e rremë se, materiali i Prokurorisë i përbërë prej 648 faqesh përbën prova që argumentojnë përgjegjësinë e zotit Mediu. Duke respektuar procedurat penale, Prokuroria duhet të kishte sjellë prova të mjaftueshme që do të mund të argumentonin atë çka Prokuroria pretendon në lidhje me përgjegjësinë e zotit Mediu", theksoi Madhi. Brenda kësaj jave deputetët duhet të përgatiten dhe të shqyrtojnë dosjen voluminoze. Pas këtij procesi, deputetët duhet të dëgjojnë ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe t'i bëjnë pyetje mbi materialin e paraqitur. Edhe deputeti i PS-së, Dervishi ka pasur rezerva në lidhje me materialin e paraqitur, duke vijuar se, "materiali i dytë, i paraqitur nuk përbën ndonjë provë që mund të bëjë përgjegjës ish-ministrin". U kërkua me forcë që të mos ketë më humbje kohe dhe sorollatje. Pavarësisht se materiali ishte voluminoz, nga ana jonë do të punohet për të qenë gati sa më shpejt. Por nuk ka asgjë super të fshehtë dhe konfidenciale, të gjitha janë bërë publike nga media vizive dhe e shkruar, ka një nen që është neni 103, por mendoj se nuk vlen për deputetët, dhe nëse ne kemi imunitet e kanë pikërisht për atë mandat që kanë marrë", u shpreh Dervishi pas mbledhjes. Në përbërje të këshillit janë 10 anëtarë gjithsej. Emrat e tyre janë: Topalli PD, Madhi PR, Bushati PD, Sula PAA, Bano PD, Çaçi PS, Koçi PS, Tavo PS, Dervishi PS dhe Kola e PSD-së.

Dëmshpërblim 100 % dhe për pronën e luajtshme

Socialistët bëjnë publike nismën e tyre për dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar nga tragjedia e 15 marsit në Gërdec të Vorës. Nisma është firmosur nga 11 deputetët socialistët Leskaj, Braçe, Malaj, Dervishi, Hoxha, Tola, Hysa, Çaçi, Abazi dhe Kerri. Në të kërkohet dëmshpërblimi financiar në masën 100 % të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme të dëmtuar, apo të shkatërruar nga shpërthimi apokaliptik i ndodhur më 15 mars në Gërdec. Ligji parashikon aplikimin e metodës së vetëdeklarimit për dëmet e shkaktuara nga të dëmtuarit, por njëkohësisht parashikon edhe përgjegjësinë penale për çdo deklarim të rremë të kryer gjatë kryerjes së kësaj procedure. "Ky ligj ka për qëllim që të dëmshpërblejë në masën 100 % të vlerës që duhen shpenzuar për ato pasuri, të cilat kanë humbur pjesërisht vlerën e përdorimit dhe që mund të rehabilitohen. Në kuptim të pasurive që dëmshpërblehen përfshihen ndërtesat për banim, për aktivitete dytësore ose për aktivitet tregtar, pajisjet dhe orenditë, kulturat bujqësore dhe gjëja e gjallë, makineritë dhe pajisjet, lënda e parë produktet e gatshme ose gjysmë të gatshme", thuhet në nenin 2 të draftit të socialistëve. Evidentimi i dëmeve do të bëhet nga të prekurit, të cilët duhet të plotësojnë një formular tip, që duhet të përpilohet nga qeveria. "Vlerësimi i pasurive pronë private të dëmtuarve do të kryhet duke marrë parasysh vlerën e tyre fillestare, amortizimin, destinacionin, indeksin e ndryshimit të çmimeve dhe të monedhës. Procesi i vlerësimit do të bëhet me vendim nga Komisioni i Posaçëm i Vlerësimit, të krijuar pranë bashkive dhe komunave", citohet në nenin 4. Gjithashtu bëhet e ditur se, në përbërje të këtij këshilli do të jenë një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, të Financave dhe ekspertë të licencuar. Procedura e dëmshpërblimit duhet të bëhet nga buxheti, njësia vendore-bankë-personi i dëmtuar. Nëse të dëmtuarit nuk janë dakord për vendimin e komisionit, ata mund t'i drejtohen gjykatës. Vetëdeklarimi duhet të bëhet brenda 30 ditëve, nëse ai rezulton i rremë, personi i dëmtuar mund të ndiqet penalisht.

Koçi dhe Bano refuzojnë të marrin dosjen voluminoze

Petro Koçi dhe Ilir Bano refuzuan të marrin materialin voluminoz të depozituar nga Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve. Shkaku ka qenë se dy deputetët e kanë cilësuar si absurde. "Unë nuk mund të marr një material të tillë, që është paçavure, ndaj refuzoj të marr një dokument të tillë, pasi nuk përmbush asnjë prej kërkesave që ne kërkojmë dhe nuk dua të bëhem pjesë e lojës politike", mësohet se ka deklaruar Koçi në mbledhjen e këshillit. Qëndrimit të tij, i është bashkuar edhe nënkryetari i grupit të PD-së, Ilir Bano. Ata janë shprehur shumë të zhgënjyer nga Prokuroria, pasi materialet e paraqitura nuk janë aspak sekrete, të publikuara nga mediat e ndryshme dhe prandaj e kanë cilësuar si të panevojshme marrjen e dosjes "Mediu". "Këshilli mori në dorëzim materialin e sjellë nga Prokuroria, nuk kishte asgjë të panjohur. Aty kishte ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave të kohëve të ndryshme dhe nuk pashë ndonjë gjë të re. Këshilli ra dakord që në mbledhjen e ardhshme deputeti Mediu të vijë në këshill dhe të japë shpjegime", tha pas mbledhjes Bano.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›